Lidhje

Rama: Kryeministri Berisha ka raport tërësisht të shtrembër me demokracinë dhe me zgjedhjet


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ishte këto ditë këtu në Uashington ku ka patur një sërë takimesh me zyrtarë amerikanë. Sipas njoftimeve nga Partia Socialiste, zoti Rama ka ngritur në këto takime një sërë shqetësimesh mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, për vonesat në reformën zgjedhore, për luftën kundër krimit e korrupsionit, që sipas tij po shfrytëzohet për qëllime politike dhe për ndryshimet në administratë. Intervistë e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, duke iu referuar njoftimeve të PS për vizitën tuaj në Amerikë, shihet se thelbi i komenteve, kanë qënë kritikat ndaj qeverisjes aktuale, por në to mungon çështja Sollaku, çështja më e debatueshme sot në Shqipëri.

Edi Rama: Faktikisht takimet e këtushme, të cilat kanë qënë mjaft intensive dhe në nivele shumë të kënaqshme përsa i përket rëndësisë së tyre, kanë qënë të fokusuara në tre blloqe; së pari në situatën aktuale në Shqipëri, së dyti për rajonin, ku unë kam rikonfirmuar qëndrimet e Partisë Socialiste në koherencë të plotë, në mënyrë të veçantë, me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe së treti për zgjedhjet në Shqipëri, si një test i vazhdueshëm për demokracinë shqiptare, pasi kësaj rradhe janë seriozisht të rrezikuara për shkak të shumë arësyeve, që ndoshta s’kemi kohë t’i rendisim këtu. Si arësye madhore mund të përmendim raportin tërësisht të shtrembër, që kryeministri aktual, ka me demokracinë, me principet demokratike, me vlerat demokratike dhe mbi të gjitha me zgjedhjet, që janë një nga njollat më të zeza të karrierës së tij politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, gjatë 8 vjetëve që socialistët patën pushtetin, qeveritë e njëpasnjëshme nuk u shquan për ndonjë luftë serioze kundër krimit e korrupsionit. Shqipëria është kritikuare shpesh në atë kohë për nivele të larta krimi e korrupsioni. Tani në opozitë ju po dilni në mbrojtje pa rezerva ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, i akuzuar pikërisht për pasivitet në luftën ndaj krimit. A nuk rrezikon me këtë qëndirm që PS të vazhdojë të ketë imazhin e aleancës me krimin, siç është kritikuar ajo?

Edi Rama: Kjo është një pyetje shumë tiranase për t’u bërë në Uashington. Por do të doja të nënvizoja faktin, që së pari të mos harrojmë asnjëherë se nga e nisi Partia Socialiste përpjekjen e saj për ndërtimin e një Shqipëria demokratike, nga hiri i vitit 1997. Së dyti, ashkush të mos gënjejë veten dhe të tjerët, se lufta kundër korrupsionit është çështje e një, dy, apo tre vjetësh, në kontekstin ku është sot Shqipëria. Lufta kundër korrupsionit do të jetë çështje e një gjenerate, pasi ka të bëjë drejtëpërdrejtë me modernizimin e shtetit dhe me krijimin e një sistmei demokratik funksional në të gjitha aspektet, ku epiqendra është pa dyshim ndarja e pushteteve dhe pavarësia e tyre. Pra vijmë tek çështja në fjalë, ne nuk na shqetësuar dhe nuk ka shqetëson fati personal i Prokurorit të Përgjithshëm, edhe pse, në momentin për të cilin flasim, ka një komision hetimor i cili është në thelb antikushtetues, dhe që sipas mendimit tim, përbën edhe një shkelje të të drejtave të njeriut, pasi është një pengmarrje e hapur dhe një linçim i hapur publik edhe i vetë këtij njeriu. Ne na shqetëson në thelb ndarja e pushteteve, ne na shqetëson në thelb pavarësia e tyre nga ekzekutivi në mënyrë të veçantë dhe ne na shqetëson në thelb moskthimi mbrapa që rrezatohet në çdo hap të qeverisjes së zotit Berisha. Ne do të qëndrojmë fort aty, pa asnjë kompleks dhe mbi të gjitha pa asnjë lëkundje përballë kësaj propagande bajate, sipas së cilës ne mbrokemi Prokurorin e Përgjithshëm, pasi ne mbrojmë në fakt pasivitetin e Prokurorisë së Përgjithshme, sepse ne nuk besojmë në asnjë mënyrë që lufta kundër korrupsionit është një luftë e cila mund të telekomandohet nga zyra e kryeministrit, si një angazhim për të nënshtruar pushtetet e tjera dhe për të vendosur në krye të tyre kukulla, siç janë kukullat e qeverisë aktuale, por besojmë me gjithë forcën e principive dhe të vlerave të demokracisë reale, se luft akundër korrupsionit është një luftë për modernizimin e shtetit dhe të sistemit. Presim përditë dhe me padurim madje, draftet për reforma reale, edhe për sistmein gjyqësor, drafte të cilat jo vetëm nuk vijnë, por në vend të tyre, na serviren ligje si ai i spiunëve, që është një turm i madh, që është i pakuptimtë në kuadrin e sotëm të zhvillimeve të përgjithshme në Shqipëri dhe që përbën në fakt shprehjen më kuptimplote të mentalitetit tërësisht bolshevik të Sali Berishës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, gjatë këtyre ditëve në Uashington, ju keni ngritur edhe shqetësimin e reformës zgjedhore. Pas zgjedhjeve të kaluara, të cilat u cilësuan, si jo plotësisht në përputhje me standartet ndërkombëtare, të dyja partitë u angazhuan për të reformuar ligjin zgjedhor. Megjithatë deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës. A pritet të fillojë nga puna së shpejti komisioni i reformës zgjedhore?

Edi Rama: Më vjen shumë keq, por në të gjitha rastet përgjegjësinë kryesore e ka qeveria, siç e kishte deri dje, e ka edhe sot e gjithë ditën. Kështu që nuk mund të jetë ndryshe dhe nuk mund të jetë, që kur është zoti Berisha në opozitë fajin e ka qeveria dhe kur është zoti Berisha në qeveri, fajin e ka opozita. Ne jemi të gatshëm të fillojmë në çdo sekondë nga puna. Kemi caktuar njerëzit që do të jenë në komisionin e reformës zgjedhore, kemi caktuar ekspertët që do të merren drejtëpërdrejt me të gjitha çështjet e reformës. Në tryezën e bashkëpunimit opozitar kemi caktuar ekspertë që do të punojnë edhe për reformën zgjedhore dhe nuk kuptoj çfarë duhet të bëjmë ne. Në se prisni që ne të shkojmë e të tërheqim nga xhaketa Sali Berishën dhe t’i themi leri marrëzitë sepse kemi punë të rëndësishme për të bërë, ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse ne kemi për detyrë të jemi të gatshëm, për të dhënë jo vetëm kontribut por edhe konsensus, kur është fjala për reforma reale, gjë që ne e shprehëm edhe këtu, duke marrë në këtë mënyrë edhe shprehjen e kënaqësisë të të gjithë atyre që takuam lidhur me këtë çështje, por konsensusi, dialogu, bashkëpunimi, kërkon dy palë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama një nga faktorët që çoi në humbjen e zgjedhjeve nga e majta në zgjedhjet e përgjithshme ishte dalja më vete e LSI-së. Marrëdhëniet midis Partisë Socialiste dhe LSI-së vazhdojnë të jenë të vështira. Ju keni arritur këto ditë një marrëveshje me të gjitha partitë e majta për zgjedhjet e ardhëshme. Cilat janë shkaqet që e mbajnë larg Partinë Socialiste nga LSI-ja?

Edi Rama: Nuk ka asnjë shkak që e mban larg Partinë Socialiste nga LSI-ja. Partia Socialiste është e barazafruar dhe e barazlarguar me të gjitha partitë e opozitës. Ne kemi vendosur në tavolinë një marrëveshje, e cila është nënshkruar nga ata të cilët e kanë parë të arësyeshme ta nënshkruajnë bazuar në të gjitha ato parime që marrëveshja, apo dokumenti i marrëveshjes i konsideron si bazë për bashkëpunim dhe aty ka edhe një vend për t’u nënshkruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në çdo çast që ata do të dëshirojnë. Duhet të pyesni ata se çfarë i mban larg nga Partia Socialiste dhe sigurisht argumentat se qënke “Megadushku”, apo se qënkeshin arësye që kanë të bëjnë me korrupsionin e Partisë Socialiste në qeverisje, nuk qëndrojnë më, për arësyen e thejsshtë se ne e kemi përjashtuar edhe në dokumentin në fjalë mundësinë e përsëritjes, apo mundësinë e çfarëdo qëndrimi që do të përsëriste “megadushkun”, apo “dushkun e vogël”, ashtu si kundër kemi përcaktuar qartë edhe arësyet pse jemi në opozitë, ndër të cilat si kryesore kemi renditur edhe korrupsionin, duke e konsideruar korrupsionin, si një fenomen që karakterizoi qeverisjen e Partisë Socialiste, edhe kur miqtë dhe vëllezërit tanë të LSI-së ishin pjesë e kësaj qeverisjeje. Edhe në këtë aspekt nuk besoj se ndarja midis PS dhe LSI-së është ndarja midis djajve dhe ëngjëjve, përkundrazi besoj se ne kemi plot gjera që vlejnë si arësye për t’u bashkuar, ashtu si kundër, kemi njësoj arësye, për t’u distancuar nga korrupsioni, apo nga të gjitha ato fenomene që bashkërisht dëshirojmë të mos përsëriten. //rd//

XS
SM
MD
LG