Lidhje

Ambasadorët e NATO-s do të vizitojnë këtë javë Kosovën


Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer njoftoi të hënën se më 11 maj ambasadorët e Natos do të shkojnë për vizitë në Kosovë. Zoti Scheffer tha se synimi i vizitës është i dyfishtë, të sigurojë banorët se aleanca e Natos do të jetë e angazhuar për garantimin e sigurisë gjatë procesit të përcaktimit të statusit dhe për të shprehur mbështetje për procesin e negociatave të drejtuar nga i dërguari i posaçëm Marti Ahtisari.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior thekson se misioni i Natos edhe në vazhdën e bisedimeve për status mbetet ruajtja e stabilitetit në Kosovë:

“Nato-ja është e angazhuar për të krijuar një klimë sigurie në mënyrë që si shumica ashtu edhe pakica të luajnë role aktive nën udhëheqjen e Martii Ahtisarit në bisedimet për status. KFOR-i ka 17 mijë trupa dhe i aftë për të përmbushur misionin e tij dhe po përfundon një proces riogranimi për të rritur efektivitetin”.

Zoti Scheffer vëren me keqardhje se Serbia po përjeton pengesa që pritet të kenë një ndikim negativ mbi këtë vend në këto momente:

“Për fat të keq kemi vërejtur zhvillime negative në Serbi, si dështimi për të dorëzuar Mlladiçin në Hagë që rezultoi në pezullimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian në marrëveshjen e stabilizim-asociimit, dhe dorëheqja e zotit Labus nga qeveria. Ndërkaq, në lidhje me zhvillimet në Kosovë, serbët atje duhet të tregohen shumë më aktivë duke marrë pjesë në procesin për vendosjen e statusit”.

Zoti Scheffer nuk pranon të paragjykojë procesin e negociatave, duke theksuar se këtë proces po e drejtojnë Kombet e Bashkuara, me ndërmjetësin e posaçëm në bisedime Marti Ahtisari. Megjithatë, ai komenton me tone kritike mbi zbatimin e deritanishëm të standarteve që i ka vënë komuniteti ndërkombëtar Kosovës:

“Natoja beson se shumica në Kosovë mund të bëjë shumë më tepër në drejtim të zbatimit të standarteve, ndërsa nga ana e tyre, pakica serbe, duhet të bëjnë më shumë për t’u angazhuar në procesin për statusin, dhe për pjesëmarrje në institucionet. Si do të zhvillohet më pas procesi, do ta shohim më vonë. Natoja ka lidhje të ngushta me Grupin e Kontaktit. Për sa u përket veprimeve të Natos, ne jemi të përqëndruar në rolin e KFOR-it për të krijuar një klimë stabiliteti”.

XS
SM
MD
LG