Lidhje

Gjenerali Michael Hayden emërohet për postin e drejtorit të CIA-s


Presidenti Bush emëroi Gjeneralin e Forcave Ajrore Michael Hayden si drejtorin e ardhshëm të Agjencisë Qendrore të Zbulimit. Presidenti e bëri të ditur kandidatin e tij për drejtor të CIA-s sot në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se Gjenerali Hayden ka një përvojë të pasur në fushën e zbulimit, e cila do ta ndihmojë të vërë më së miri në zbatim masat për ruajtjen e sekretit dhe për një kërkesë të fortë llogarie, të cilat kanë rëndësi kritike për sigurimin kombëtar.

Gjenerali Hayden konsiderohet si ekspert në zbulimin ushtarak. Ai lindi në vitin 1945 në shtetin Pensilvania, ku ndoqi edhe studimet universitare dhe pasuniversitare për histori. Në vitin 1969 ai iu bashkua forcave ajrore dhe ka pasur një sërë postesh në Pentagon, në Komandën e Shteteve të Bashkuara në Evropë, Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë me detyrë në Bullgari.

Që prej vitit të kaluar ai ka shërbyer si zëvendës-drejtor i Shërbimeve Kombëtare të Zbulimit, nën John Negroponte. Zoti Negroponte tha të hënën se nuk mund të imagjinojë dikë tjetër që të jetë më i përshtatshëm për të drejtuar CIA-n.

Presidenti Bush thotë se Gjenerali Hayden është mjaft i kualifikuar për të drejtuar CIA-n, me një përvojë mbi 20 vjeçare në fushën e zbulimit, përfshirë edhe 6 vjet si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit.

“Mike e njeh thellësisht komunitetin e sigurimit. Ai ka shërbyer edhe si mbledhës i informatave të zbulimit edhe si konsumues i këtyre informatave. Ai ka mbykqyrur zhvillimin si të rolit të njeriut ashtu edhe të teknologjisë në shërbimet e zbulimit. Ai ka treguar aftësinë për t’ia përshtatur shërbimet tona të zbulimit afidave të reja të luftës kundër terrorizmit. Mike Hayden është njeriu i duhur për të udhëhequr CIA-n në këtë moment kritik në historinë e vendit tonë”.

Më së fundi ai ka mbajtur postin e zëvendës drejtorit të shërbimit kombëtar të zbulimit. Në këtë post, Gjenerali Hayden ka mbikqyrur operacione të përgjimit të brendshëm që kanë ndezur polemike të shumta. Grupe për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar programin si një ndërhyrje në liritë e shtetasve amerikë dhe të drejtën e privacisë. Por Gjenerali Hayden ka këmbëngulur se ky program është jetik për zbulimin e kërcënimeve terroriste.

Presidenti Bush tha sot në Shtëpinë e Bardhë se beson se Gjenerali Hayden do të vazhdojë në CIA reformat e filluara ng Porter Goss, i cili dha dorëheqjen për arsye që nuk janë bërë publike. Presidenti tha se puna e CIA-s nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme për sigurinë e popullit amerikan.

Kur e mori fjalën, Gjenerali Hayden shprehu respektin e tij për drejtimin e zotit Goss dhe punonjësit e CIA-s:

“Iu drejtohem punonjësve të CIA-s dhe dua t’u them se nëse konfirmohet kandidatura ime, do ta kem për nder të punoj përkrah tyre, shumë prej të cilëve i kam miq. Arritjet tuaja shpesh nuk gëzojnë respektin e duhur dhe realizohen larg syve të publikut. Por ju e keni të qartë se çfarë bëni për të mbrojtur Republikën”.

Para se të marrë emërimin zyrtar si drejtori i ri i CIA-s duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Disa ligjvënës, përfshirë edhe një numër përfaqësuesish republikanë, kanë shprehur shqetësim lidhur me emërimin e një ushtaraku në krye të një agjencie civile.

XS
SM
MD
LG