Lidhje

Debati mbi vendimin gjyqësor ndaj kompanive


Një gjykatës në Londër shpalli vendimin se kompania me qendër në Amerikë, Apple Computer, ka të drejtë të përdor stemën e saj të zakonshme në fonotekën e vet muzikore për konsumatorët në internet. Vendimi i gjykatësit e rrëzon ankesën e Apple Corps Limited, kompani tepër e njohur, zanafilla e së cilës lidhet me një nga grupet muzikore më të famshme të botës.

Apple Corps u themelua nga grupi Bitëlls në vitin 1968 dhe vazhdon të jetë pronësi e pjesëtarëve të grupit, Sër Paul Mëkartni dhe Ringo Starr, si dhe e të vejave të Xhorxh Harrisonit dhe Xhon Lennonit.

Në vitin 1991 firma amerikane e kompjuterave Apple, e cila kishte filluar të përdorte stemën me figurën e një molle që nga 1976-a, pranoi t’i paguante firmës Apple Corps 26,5 milionë dollarë dhe të ndalonte reklamimin e muzikës përmes një marrëveshjeje mbi përdorimin e stemave. “Në thelb, mosmarrëveshja lidhej me kontratën e hartuar në vitin 1991 dhe me përdorimin e simbolit të mollës”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës për industrinë e muzikës, Ray Mcdonald, thotë se avokatët e Bitëllsave u përpoqën të provonin që Apple Computer, e cila ka shitur të paktën 42 milionë aparate iPod dhe zotëron thuajse gjysmën e tregut të ligjshëm të muzikës në internet, gjithashtu ka reklamuar muzikë përmes shërbimeve të saj digjitale muzikore në internet dhe nuk ka ofruar thjeshtë muzikë për konsumatorët, siç pretendon firma amerikane. “Gjykatësi në Londër doli në përfundimin se Apple Computer nuk i shkel kushtet e marrëveshjes, sepse marrëveshja është për fonotekën e saj dhe jo për mënyrën se si i përdor prodhimet muzikore”, thotë Mekdonalld.

Përsa i përket kontradiktës mbi stemat e dy kompanive, Apple Corps pretendon se thjeshtë po i del në mbrojtje identitetit dhe interesave të markës së saj. Stema e Apple Corps është një mollë jeshile, ndërkohë që stema eApple Computer tregon një mollë të kafshuar. “Kompania Apple Computer bëri krahasimin ndërmjet dy stemave dhe tha se ato janë tepër të ndryshme dhe konsumatorët e dinë se cila mollë i përket njërës kompani e cila tjetrës dhe nuk kanë si të ngatërrohen”. Kur vendimi u shpall, avokati i Apple Corps, Nikolas Valner, shprehu zemërim ndaj tij: “Kemi mendimin se gjyqi doli në përfundim të gabuar. Mendonim se gjatë zhvillimit të gjyqit arritëm të tregonim qartë se sa rëndë e ka thyer marrëveshjen Apple Computer”, tha avokati.

Apple Corps, që mund të urdhërohet të paguajë shpenzimet e gjyqit për Apple Computer, ka thënë se do ta apelojë vendimin. //rd//

XS
SM
MD
LG