Lidhje

SHBA vlerëson pranimin e shtetasve kinezë nga Shqipëria


Pesë shtetasit kinezë të liruar nga burgu amerikan në Guantanamo të Kubës u pranuan nga Shqipëria me kërkesë të qeverisë amerikane. Departamenti i Shtetit tha se Shqipëria vendosi t'i pranojë 5 shtetasit kinezë për arësye humanitare në një gjest që flet edhe për marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë pranimin nga ana e Shqipërisë të pesë shtetasve kinezë si një gjest humanitar. Sam Witten, Zëvendës-këshilltar ligjor në Zyrën për Krimet e Luftës në Departamentin e Shtetit, e cila merret me çështjen e të liruarve nga Burgu Guantanamo, shpjegon se pas lirimit të pesë qytetarëve kinezë, Shtetet e Bashkuara i paraqitën kërkesë një numër vendesh për t’i pranuar ata. Vetë shtetasit kinezë të etnisë ujgure kishin shprehur dëshirën që të dërgoheshin në një vend evropian.

Departamenti i Shtetit shpreh kënaqësinë që Shqipëria e pranoi kërkesën, pasi duke qenë një vend që e respekton lirinë fetare, do t’u krijojë atyre mundësinë të praktikojnë lirisht besimin e tyre.

Zyrtari amerikan e cilëson Shqipërinë si një partnere strategjike në rajon, dhe vë në dukje bashkëpunimin pozitiv ndërmjet dy vendeve, por thekson se ky ishte mbi të gjitha një akt humanitar i Shqipërisë.

Kina u ka kërkuar autoriteteve shqiptare ekstradimin në Kinë të pesë shtetasve të saj. Ajo i konsideron ata si terroristë, anëtarë të organizatave separatiste. Por zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Witten, shpjegoi se ata u liruan nga Burgu Guantanamo, pasi një Komision i Posaçëm që po shqyrton akuzat e ngritura ndaj të burgosurve arriti në përfundimin se ata nuk përbëjnë aktualisht rrezik.

Pesë shtetasit kinezë u kapën në Afganistan, vend që konsiderohet zonë luftimesh dhe për këtë arsye u dërguan në Kampin Guantanamo, ku u mbajtën gjatë katër viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara i riatdhesojnë qytetarët e huaj që lirohen nga Guantanamo. Pesë shtetasit kinezë të etnicitetit ujgur, të cilët Pekini i konsideron si terroristë, ishin në rrezik përndjekjeje dhe si rrjedhojë Uashingtoni vendosi të kërkonte dërgimin e tyre në një vend të tretë.

Aktualisht fati i tyre është në duart e autoriteteve shqiptare, të cilat janë shprehur se po e shqyrtojnë kërkesën e tyre për strehim politik në bazë të ligjeve të Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare që ka ratifikuar vendi. //ad//

XS
SM
MD
LG