Lidhje

Kryeministri Berisha rithekson angazhimin e qeverisë në luftë kundër krimit


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha u shpreh sot për një qëndresë të ashpër dhe luftë të hapur ndaj krimit të organizuar duke kërkuar edhe rishikimin e kodit penal për dënime më të rënda ndaj trafikantëve. Zoti Berisha tha se qeveria e tij është e gatshme të verë në dispozicion shuma të mëdha përballë miliardave që zotëron krimi, me të vetmin qëllim që të fitojë luftën ndaj tij. Kryeministri Berisha sulmoi sërish indirekt kryeprokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku të cilin prej kohësh ai e ka akuzuar për lidhje me krimin:

Kryeministri shqiptar i është rikthyer edhe një herë çështjes së luftës kundër kimirt në Shqipëri. Duke shfrytëzuar shqyrtimin në mbledhjen e sotme të qeverisë të një projektligji që ndëshkon dhe bën përgjegjës edhe kryetarët e komunave dhe këshillave në zonat ku mbillen bimë narkotike, zoti Berisha premtoi angazhimin e fortë të qeverisë për t’u përballur me rrjetet e trafiqeve dhe kriminelëve

Duke iu referuar botimit të para pak kohëve në shtyp të dëshmive të një të penduari, anëtar i një organizate kriminale, kryeministri tha se këto janë përpjekje të dështuara dhe përpëlitje të segmenteve të veshura me kollare e kostume luksi të pudorusra me gjak dhe drogë e që shtrihen edhe në institucione. Sipas tij kjo është një dëshmi e forcës që ka ende krimi në Shqipëri në segmented e kapura të shtetit. Një referim gati i qartë për prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, të cilin ai e ka akuzuar pikërisht për lidhje me krimin.

Këto deklarime tingëlluan si një kundërpërgjigje ndaj Presidentit Alfred Moisiu, i cili dje u shpreh se pavarësia dhe ndarja e pushteteve duhet forcuar realisht, në mënyrë që institucionet kushtetutese të mos i nënshtrohen domosdoshmërisht ndryshimit periodik të pushtetit, një fenomen që sipas tij është i pakonceptueshëm në demokraci. Sipas presidentit lufta kundër krimit, korrupsionit dhe trafikut ilegal, si pjesë e luftës e çdo nismë e veprim në shërbim të këtij qëllimi, duhet të mbajë vulën e ligjit dhe të kushtetueshmërisë.

Në mbledhjen e sotme të qevrisë kryeministri kërkoi edhe ndërhyrje në kodin penal për të parashikuar dënime më të ashpra për trafikantët e femrave dhe fëmijëve, ndërsa u shqyrtua projektligji, i cili parashikon dënimin si përgjegjës për moskallazim të krimit, të drejtuesve të pushtetit vendor në komunat ku kultivohen bimë narkotike. ryeministri tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm në përpjekjet për të përfshirë dhe komunitetin në përpjekjet për parandalimin e kultivimit të cannabisit në Shqipëri.

Kjo nisëm është bërë e njohur prej kohësh dhe shumë juristë janë skeptikë për efektet reale që ajo do të mund të sjellë. Moskallzimi i krimit është një vepër penale që ekziston në kodin shqiptar, problemi është se edhe në këtë rast do të duhet të provohet me fakte nëse një drejtues i pushtetit vendor ka patur apo jo dijeni për kultvimin e drogës në zonën e tij.

Megjithatë prej disa javësh ministra e Rendit ka përgatitur një plan masash për të parandaluar mbjelljen e bimëve narkotike. Drejtues të lartë të policisë kanë organizuar një seri takimesh me efektivat e tyre në qytete të ndryshme të vendit pikëriht për t’u përgatitur në përballjen e sezonit të mbjelljes dhe kultivimit të Cannabis Sativa. //ad//

XS
SM
MD
LG