Lidhje

Ndikimi i emigrimit të trurit në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare


Ligjet e tregut të punës, pagë e kushte më të volitshme, kanë nxitur mijëra intelektuale e specialistë shqiptarë të emigrojnë kryesisht në vende perëndimore. Ndërkohë që familjet e tyre mund të kenë aktualisht të ardhura më të mëdha, Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të botës në zhvillim, vuan nga një seri dukurish që lidhen me largimin e specialistëve, të tilla si ndërprerja e traditës në fusha të ndryshme apo mungesa e kuadrove të afta për drejtim.

Në një anekdotë në fillim të viteve ’90 që qarkullonte në vendet perëndimore, thuhej shprehimisht: Mos u çudit, nëse kamarieri që të shërben akulloren, është fitues i një çmimi Nobel në fizikë a mjekësi apo anëtar i ndonjë akademie. “Largimi i trurit”, në realitetin shqiptar, do të përkthehej konkretisht: më pak intelektualë dhe specialistë në fushat përkatëse, këshilla të reduktuara akademike dhe shpesh rënie të nivelit të diskutimeve shkencore, profesionale e civile.

Në një ligjeratë në universitetin Georgetown në Washington, ish-ministri i financave dhe ish-ministri i ekonomisë në Shqipëri, Arben Malaj, thotë se, që kjo dukuri të prapësohet, duhen krijuar kushte. “Kushti i parë që duhet plotësuar është qendrueshmëria në administrimin publik dhe mundësi të mira për biznesin privat në ekonominë shqiptare. Kështu, për shembull, studentët e mij më të mirë në fakultetin ekonomik të universitetit të Tiranës kanë mundësi të mëdha të punojnë sektorin financiar."

Në 1997-ën, thotë zoti Malaj, bankat private përbënin vetëm 3 për qind të sektorit privat, kurse tani 90 për qind, dhe ka disa banka që kanë përvojë të mirë dhe ofrojnë programe të mira për marrjen në punë të të rinjve. Në njëjtën mënyrë, edhe në sektorë të tjerë do të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë”.

Ndërkohë që vende me ekonomi të konsoliduar prej qindra vjetësh vazhdojnë të bëjnë përpjekje të mbajnë brenda vendit dhe, për më tepër, të vjelin ekspertizë në fusha të ndryshme, në Shqipëri e Kosovë dhe Maqedoni, duket nuk ka ende programe me synime të qarta, apo të paktën të efektshme, në këtë drejtim.

Megjithatë një studim i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare sjell shpresë. Drejtuesi i studimit, Eno Trimçev thotë se është e mundur që procesi i largimit të trurit të shndërrohet në qarkullim truri. “Së pari ka një interes shumë të lartë për t’u kthyer në Shqipëri. Kjo shihet nga numri i lartë i atyre që janë kthyer dhe kjo vërtetohet edhe nga fakti që shumë studentë që janë momentalisht jashtë, po e mendojnë seriozisht që të kthehen në vendin e tyre,” shpjegon zoti Trimçev. "Së dyti, dhe ajo që na habiti pa masë ishte fakti ... që faktori vendimarrës për kthimin e tyre ose jo është mënyra se si i përceptojnë ata institucionet shqiptare etikën e punës në Shqipëri, politikat e kuadrit brenda për brenda në institucione, a kanë ata një shans të ndershëm për të gjetur punë dhe a kanë mundësi që në afat të gjatë të planifikojnë karrierën e tyre brenda për brenda institucioneve”.

Pra, thotë zoti Trimçev, në qoftë se këta njerëz mendojnë që partitë politike bëjnë ligjin në këto institucione, ata nuk kthehen, sepse mendojnë që pas katër vjetësh do të humbin vendin e punës. Ai thotë se në vendimin e intelektualëve dhe studentëve për t’u kthyer kanë rol edhe lidhjet nepotike të familjes, siç shprehet, që mund të materializohen në vende të përshtatshme pune.

Jan Peter Olters, ish-perfaqesues i FMN-së në Shqipëri, i pranishëm në diskutimin në Universitetin Georgetown me zotin Malaj, thotë se është e rëndësishme që intelektualët dhe studentët jashtë vendit dhe, në përgjithësi, emigrantët shqiptarë të integrohen në debatet publike të vendit. “Ndoshta është e vërtetë që më të arsimuarit e shqiptarëve të rinj ndodhen jashtë shtetit. Duke vështruar përvojat e vendeve të tjera, do të përmendja Italinë e cila në zgjedhjet e fundit krijoi disa zona elektorale jashtë vendit në mënyrë që emigrantët të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament. Edhe një vend tjetër," thotë zoti Olters, "ka bërë përpjekje të sukseshme për përfaqësimin e emigrantëve në parlament në mënyrë që pikëpamjet e tyre të përfshihen në debatin e përgjithshëm publik”.

Analistët mendojnë se lidhje të tilla ia lehtësojnë disporës kthimin, pasi kush do t’u mbronte interesat më mirë se përfaqësuesit e tyre?!

Me sa shihet, kthimi i specialistëve dhe të arsimuarve kërkon zgjidhje disaplanëshe, ndërkohë që klima paqendrueshme politike në Shqipëri e ka dëmtuar jashtë mase procesin e krijimit të një administrate publike të konsoliduar, të mbrojtur disi nga ndryshimet pas zgjedhore.

XS
SM
MD
LG