Lidhje

Një monument i ri në Uashington në kujtim të viktimave të komunizmit


Uashingtoni është i njohur për momumentet dhe përkujtimoret e shumta, të cilat tërheqin çdi vit miliona vizitorë. Së shpejti një monument i ri do t’i shtohet kësaj liste, për të përkujtuar miliona vetë – viktima të komunizmit.

Një shoqatë jo-fitimprurëse po kryeson përpjekjet për të mgritur një monument në Uashington për të përkujtuar mbi 100 milion viktimat e komunizmit në mbarë botën. Lee Edwards është kryetar i Fondacionit për Përkujtimoren e Viktimave të Komunizmit: "Monumenti do të jetë një kopje e statujës së demokracisë, e cila u ngrit nga studentët kinezë pro-demokracisë në Sheshin Tiananmen në vitin 1989. Ne do të ngremë një kopje 3 metra të lartë të kësaj përmendoreje," thotë zoti Edwards.

Monumenti kinez për demokracinë bazohet në Statujën amerikane të Lirisë, dhe simbolizon dëshirën njerëzore për liri dhe mundësi. Skulptori i njohur nga Kalifornia, Thomas Marsh do ta punojë statujën, e cila do të jetë në qendër të sheshit të ardhshëm përkujtimor.

Zoti Edwards thotë se përkrahësit më të zjarrtë të projektit kanë qenë qytetarët amerikanë nga ish-vendet komuniste. Me përjashtim të vendeve baltike dhe Vietnamit, qeveritë e vendeve ish-komuniste nuk janë angazhuar deri tani në këtë projekt, thotë zoti Edwards. "Deri tani kemi marrë vetëm ndihma indirekte nga vende e ish-Bashkimit Sovjetik. Ukraino-amerikanët kanë dhënë mbështetje të fuqishme, po ashtu edhe shtetas amerikanë me prejardhje ruse, por ende asgjë nga Bjellorusia apo ndonjë prej republikave të Azisë qendrore, ose Rusia."

Zoti Edwards, i cili punon si vullnetar në këtë projekt, thotë se është një sipëmarrje tepër e madhe që organizata të vogla të marrin përsipër ngritjen e një monumenti në një mjedis të tillë si Uashingtoni. "Kemi punuar për këtë projekt gjatë 10 viteve të fundit. Shpesh më pyesin përse duhet kaq shumë kohë. Unë u shpjegoj se mesatarisht duhen 14 vjet për të ndërtuar dhe përuruar një monument në Uashington."

Vitin e kaluar u miratua vendi ku do të ngrihet përmendorja, e cila do të vendoset vetëm 5 minuta larg Kapitolit, një pikë ideale për turistët. Dedikimi i përkujtimores së viktimave të komunizmit është planifikuar për në qershor 2007. Kryetari i projektit Lee Edwards thotë se përurimi i monumentit do të shënojë një përvjetor historik. "Më 12 qershor 1987, 20 vjet më parë Presidenti Ronald Regan shkoi në portën Brandenburg dhe mbajti fjalimin e famshëm që kulmoi me frazën: Zoti Gorbaçov, rrëzojeni këtë mur."

Presidenti Bush është kryetar nderi i Fondacionit të Viktimave të Komunizmit. Para-ardhësi i tij, Presidenti Bill Klinton nënshkroi ligjin për ngritjen e këtij fondacioni. Lee Edwards thotë se të dy presidentët do të ftohen për të marrë pjesë në përurimin e monumentit. //ad//

XS
SM
MD
LG