Lidhje

Mendimet e tre analistëve amerikanë mbi negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës


Gjatë 3 muajve të fundit, përfaqësuesit e Prishtinës e të Beogradit janë takuar 4 herë në Vienë në kuadër të negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës. Në takimin e tyre të fundit, ata ranë dakord të takohen përsëri këtë muaj. Deri më tani, nga këto bisedime nuk ka dalë ndonjë marrëveshje mes dy palëve, megjithëse ekzistojnë mendime të ndryshme për sa i përket domosdoshmërisë dhe domethënies së marrëveshjeve të tillë në këtë fazë të bisedimeve.

Bob Hand, këshilltar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit amerikan thotë se për momentin, është më i rëndësishëm fakti që bisedimet vazhdojnë pavarësisht se sa mosmarrëveshje mund të kenë palët rreth çështjeve të caktuara. Megjithëse gjendja në Kosovë është e vështirë, thotë ai, ka shenja se mund të bëhet përparim.

Mendoj se gjendja në Kosovë, veçanërisht për pakicat dhe për personat, që mund të duan të kthehen, vazhdon të jetë e vështirë, megjithatë ka shenja se mund të bëhet përparim. Respektimi i të drejtave të njeriut mund të shtojë mundësitë për të bërë kompromiset e nevojshme në mënyrë që në të ardhmen të arrihen rezultate reale.

Zoti Hand thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë t’i nxisë të dyja palët që të bëjnë kompromiset e duhura për të arritur një marrëveshje mbi statusin e Kosovës.

Gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefër, tha se statusi i Kosovës duhet të jetë rezultat i kompromisit. Në fillim të javës, kur njoftoi se ambasadorët e NATO-s do të shkonin në Prishtinë, zoti Shefër tha se shumica shqiptare në Kosovë mund të bëjë më shumë për zbatimin e standarteve, ndërsa pakica sërbe duhet të bëjë më shumë për t’u angazhuar në procesin e statusit.

Për analistin e njohur të çështjeve ballkanike, Obrad Kesiç, komente të tilla tregojnë pakënaqësinë e komunitetit ndërkombëtar.

Mendoj se komentet e zotit Shefër tregojnë pakënaqësinë e komunitetit ndërkombëtar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Dhe për këtë pakënaqësi ka shumë arsye ashtu siç ka shumë arsye për të dyja palët të jenë të pakënaqura me komunitetin ndërkombëtar, sepse ky i fundit ka dërguar sinjale të ndryshme dhe nuk ka qënë plotësisht i angazhuar.

Një prej çështjeve që u diskutua në raundin e fundit të bisedimeve ishte edhe Mitrovica. Analistët janë të mendimit se çështja e Mitrovincës është shumë e vështirë, e ndoshta edhe e rrezikshme, thotë këshilltari i Komisionit të Helsinkit i Kongresit amerikan Hand.

Mitrovica mund të çbëjë përparimin që mund të bëhet në fusha të tjera; aty ekziston mundësia që të lindin disa probleme serioze. Mitrovica duhet të jetë pjesë e gjithë procesit për përcaktimin e statusit të Kosovës dhe duhet trajtuar mbi të njejtat parime.

Analistja Kristina Herman e Nismës për Stabilitetin Evropian thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjidhë dilemat, që ekzistojnë në Mitroviçë, si të sërbëve ashtu edhe të shqiptarëve.

Dilema strategjike do të zgjidhej duke u dhënë sërbëve të Kosovës distriktin e tyre të veçantë, dhe në këtë mënyrë udhëheqësve shqiptarë të Kosovës mundësinë për të treguar gatishmëri në zgjidhjen e shqetësimeve të partnerëve të tyre. Në të njejtën kohë, për të zgjidhur shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar duhet të shtojë përpjekjet për të garantuar rendin dhe qetësinë në të dy pjesët e Mitrovicës dhe fonde e mbështetje për organizatat politike në qytet. Kjo duhet të bëhet tani e jo të pritet deri sa të zgjidhet statusi i Kosovës.

Të tre analistët janë të mendimit se ndërkohë që angazhimi i komunitetit ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm për arritjen e kompromiseve të domosdoshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në fund të fundit janë vetëm Prishtina dhe Beogradi që do të bëjnë të mundur finalizimin e këtyre kompromiseve.

XS
SM
MD
LG