Lidhje

Ekspozita "Evropianët e Panjohur" në ambasadën austriake në Uashington


Austria, e cila ka presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, është përpjekur ta shfrytëzojë këtë periudhë për të prezantuar në botë identitetin evropian dhe aspekte të integrimit në Bashkim. Në këtë kuadër në ambasadën austriake në Uashington është hapur ekspozita me vepra të fotografit Kurt Kaindl, e titulluar “Evropianët e Panjohur.” Ekspozita ofron një këndvështrim të veçantë për identitetin në Evropë dhe dimensionet e tij të shumta.

Evropa, një mozaik kombesh dhe kulturash është angazhuar sot në kërkim të një identiteti të përbashkët. Çfarë i bën të spikasin në këtë mozaik etnitë e përfaqësuara në ekspozitën Evropianët e Panjohur? Ia drejtuam këtë pyetje atashesë kulturore të ambasadës austriake zonjës Margarita Ploder: Këto pakica kurrë nuk synuan të kenë një shtet të pavarur, por kanë bashkëjetuar me shumicën tjetër etnike dhe kanë arritur megjithatë të ruajnë traditat, gjuhën dhe indentitetin kulturor. Nuk ka asgjë anormale që një individ të të identifikohet si arbëresh, por edhe si italian dhe evropian", thotë zonja Ploder.

Ndër pakicat etnike të përfaqësuara janë edhe arbëreshët e Italisë. Duke kaluar pranë fotografive të arbëreshëve, është vështirë të shkëputesh nga përkufizimi i ngushtë, tradicional i identitetit. Çfarë fshihet pas momentit të ngrirë në kohë? Ndoshta një dolli në shqip, një lojë letrash në qendër të fshatit, ndërkohë që dikush përsërit një legjendë të vjetër të përcjellë nga katragjyshët që u larguan shekuj më parë nga Arbëria. Ndoshta një përshëndetje në shqip bashkëfshatarëve që kalojnë pranë.

Këta ishuj etnish janë po aq pjesë e Evropës, sa etnitë më të mëdha në numër, dhe përbëjnë një thesar më vete të Bashkimit Evropian, shpjegon zonja Ploder. "Kur mendon për evropianët, mendon për francezët, apo britanikët, gjermanët, por edhe për vende që janë jashtë BE-së si shqiptarët apo kroatët. Shpesh identiteti kombëtar është shumë më i ndërlikuar. Mund të jesh njëkohësisht francez dhe breton, spanjoll dhe katalan, njëkohësisht italian dhe arbëresh. Pikërisht këtë nënkuptojmë me larminë kulturore të Evropës".

Por larmia kulturore nuk i ka prekur të gjithë njëlloj. Për shumë grupe, identiteti etnik është bërë burim mënjanimi dhe varfërie ekstreme, si në rastin e romëve degeshi në Sllovaki.

Në disa raste identiteti ka rezultuar edhe në racizëm të hapur. Hebrenjtë e sektit Safardim kanë jetuar në Ballkan që në fund të shekullit të 15të, pasi u dëbuan nga Spanja. Ata arritën të ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre, edhe gjatë pushtimit shekullor osman në Bosnjë, edhe gjatë 2 luftrave botërore të shekullit të 20-të. Ky grup arriti t’i mbijetojë asimilimit dhe nazizmit, por një histori 500 vjeçare perëndoi me shpërthimin e konflikteve ballkanike: "Armiku kryesor ndaj pakicave është nacionalizmi. Kjo gjendje ka pasur pasoja tepër të rënda në veçanti për hebrenjtë safardimë në Bosnjë, shumë prej të cilëve u larguan nga atdheu që kishin njohur për një gjysmë mijëvjeçari. Ata që mbeten, shumica të moshuar, jetojnë me vetëdijen se janë reliket e fundit të sefardizmit në Sarajevë", shpjegon zonja Ploder.

Me thellimin e integrimit të Bashkimit dhe zgjerimin e organizatës me vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, thotë Atashe Kulturore Ploder, ka lindur një shpresë e re e ruajtjes së këtyre identiteteve dhe kulturave. "Grupe më të vogla etnike kanë fituar një vetëbesim më të madh dhe po ngrenë zërin për mbrojtje më të madhe të identitetit dhe kulturës së tyre. Kjo është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga Këshilli i Evropës. Në Bashkimin Evropian ka lindur një interes i ri në larminë etnike". Një interes që shumë nga këto grupe e presin si shpresën e vetme për të kapërcyer izolimin që ka shoqëruar identitetin e tyre kulturor. //rd//

XS
SM
MD
LG