Lidhje

Itali: Skandal futbolli në prag të finaleve të Botërorit 2006


Ndërkohë që ka mbetur më pak se një muaj deri në fillimin e Botërorit të Futbollit në Gjermani, vëmendja e italianëve është përqendruar në një skandal ku është zhytur sporti më popullor i vendit. Emisione radioje e televizioni dhe faqe të shumta gazetash i kushtohen skandalit të futbollit.

Prokurorët kanë nisur hetime masive në lidhje me zërat për blerje ndeshjesh dhe vënie të paligjshme bastesh. Federata Italiane e Futbollit tërhoqi dje akreditimin e një arbitri mjaft të njohur për në Kupën e Botës, pas përfshirje së tij në skandal.

Deri tani flitet për përfshirje të katër ekipeve të kategorisë së parë: Juventus, Milan, Lazio dhe Fiorentina.

Industrialisti Diego Dela Vale, familja e të cilit është pronare e ekipit të Fiorentinës, tha se ka besim të patudur që klubi nuk është përfshirë kurrësesi në këtë skandal.

Juventus-i është një nga ekipet më të famshme të Italisë, megjithatë, i gjithë bordi drejtues i ekipit dha dorëheqjen këtë javë, ndërkohë që manaxheri i përgjithshëm po hetohet për ndikim të mundshëm tek arbitrat.

Më shumë se 40 persona janë thirrur për t’u marrë në pyetje. Ata po hetohen për bashkëpunim në vepër penale dhe mashtrime në sport.

Portieri i shquar, Xhanluixhi Buffon, është marrë në pyetje, pasi dyshohet për vënie të paligjshme bastesh. Ai thotë se është i pafajshëm dhe se dëshëron të luajë në Kupën e Botës në Gjermani.

Ish-presidenti i ekipit të Bolonjës, Xhuzepe Gaxoni Fraskara, tha se skandali është thuajse aq i madh sa të turpërojë çdo italian. Ai madje shtroi pyetjen nëse kombëtarja e Italisë duhet të marrë pjesë në finalet e botërorit. Ai tha se kjo po ndodh pikërisht para Kupës së Botës.

Ndërkohë, gazeta e Vatikanit e përshkroi skandalin e futbollit si një fyerje për sportin dhe vlerat e tij. //az//

XS
SM
MD
LG