Lidhje

Solana: BE do t’i ofrojë Iranit një paketë të fuqishme stimujsh


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi një ofertë me stimuj tregtarë dhe politikë për Iranin, e cila synon ta bindë Teheranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Diplomatët thonë se duan t’ia paraqesin paketën me stimuj pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë në një takim që do të zhvillohet në Londër të premten.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se stimujt që do t’i ofrohen Iranit do të jenë të fuqishëm dhe ata do të mbulojnë çështje si ajo bërthamore, ekonomike, dhe mundësisht, edhe të sigurisë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë ushtruar trysni për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila do ta detyronte Iranin t’i japë fund të gjithë aktivitetit të tij bërthamor. Fuqitë perëndimore thonë se dyshojnë që Teherani po i shfrytëzon kërkimet në fushën bërthamore si maskim për prodhimin e një bombe atomike. Por Teherani thotë se programi i tij bërthamor synon prodhimin e energjisë elektrike.//lk

XS
SM
MD
LG