Lidhje

Kina vazhdon të këmbëngulë për ekstradimin e 5 ujgurëve të strehuar në Shqipëri


Çështja e 5 kinezëve të etnisë ujgure që kanë kërkuar strehim politik në Shqipëri u diskutua sot gjatë një takimi mes kryetarit të Komisionit të Jashtëm të parlamentit Preç Zogaj dhe ambasadorit të Kinës Tian Changchun. Ambasadori kinez ka përsëritur kërkesën për ekstradim të menjëhershëm, pasi Pekini i konsideron ata si terroristë. Ndërsa zoti Zogaj ka përsëritur qëndrimin e palës shqiptare se çështja e 5 ish të burgosurve të Guantanamos do të trajtohet sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.

Kina vazhdon të këmbëngul në kërkesën e saj që Shqipëria ti kthejë asaj sa më shpejt 5 shtetasit e etnisë ujgure të cilët që prej më shumë se 10 ditësh ndodhen në Tiranë ku kanë kërkuar strehim politik. Të 5 shtetasit mbërritën në kryeqytetin shqiptar pasi autoritetet e atjeshme iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Uashingtonit për strehimin e tyre.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot në selinë e parlamentit mes ambasadorit të Kinës dhe kryetarit të komisionit të Politikës së Jashtme Preç Zogaj, përfaqësuesi i Pekinit ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke u shprehur se të 5 kinezët konsiderohen si anëtarë të organizatës Turkistani Lindor e cila sipas Pekinit bashkëpunon me Al Kaedën dhe Talebanët.

Ambasadori Tian Changchun ka kërkuar ekstradimin e menjëhershëm. Por deri më tani duket se kjo kërkesë ka mbetur vetëm në nivel verbal. Një ditë më parë ministri shqiptar i Drejtësisë Aldo Bumçi deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë kërkesë zyrtare. Një kërkesë e cila sipas procedurave duhet të shoqërohet me akuzat konkrete ndaj tyre ose me një urdhër arresti për ta.

Pala shqiptare vazhdon të mbajë atë qëndrim të shprehur dhe nga Ministri i Jashtëm Mustafaj se çështja e 5 ish të burgosurve të Guantanamos do të trajtohet sipas ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare. Autoritetet e atjeshme janë përpjekur të minimizojnë tensionimin e situatës mes Tiranës dhe Pekinit. Edhe zoti Zogaj u shpreh sot se historia e 5 shtetasve kinezë konsiderohet si një re kalimtare në qiellin e kthjellët të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës. Megjithatë marrëdhëniet nuk janë aq të kthjellta, të paktën për momentin.

Kina reagoi menjëherë duke anulluar vizitën e një zyrtari të lartë të saj, ndërkohë që nuk dihet nëse kjo gjendje do të reflektohet edhe në marrëdhëniet ekonomike, ku Kina është partneri i katërt kryesor në shkëmbimet tregtare të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG