Lidhje

Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte cakton datën për fillimin e procesit ndaj gjashtë ish-udhëheqësve jugosllavë dhe serbë


Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, ka vendosur që gjykimi i gjashtë ish udhëheqësve të lartë jugosllavë dhe serbë — Millan Millutinoviq, Nikolla Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq dhe Sreten Llukiq, të fillojë më 10 korrik 2006.

Të gjithë ata akuzohen për krime lufte të kryera në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, ndërsa procesi kundër tyre pritet të jetë njëri nga gjykimet më të mëdha në historinë e Gjykatës.

Të gjithë këta, që gjatë luftës në Kosovë ishin bartës të funksioneve të larta politike, ushtarake e policore në Serbi dhe federatën e atëhershme jugosllave akuzohen për pjesëmarrje në, siç thuhet “ndërmarrjen e përbashkët kriminale për të dëbuar me forcë dhe zhvendosur përafërsisht 800,000 shqiptarë nga Kosova.

Në veçanti të akuzuarit ngarkohen me pjesëmarrje në këto krime: si “shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës së civilëve shqiptarë të Kosovës në masë të gjërë, kryerjen e veprimeve të gjëra brutale për të mbajtur gjendjen e frikës dhe kaosit duke përfshirë vrasje, rrahje, ngacmime dhe sulme seksuale ndaj civilëve shqiptar të Kosovës si dhe arrestimin e paligjshëm dhe fyerjen e tyre.

Akuza i ngarkon ata edhe për konfiskimin dhe shkatërrimin e dokumentave personale të identifikimit për të çrrënjosur historinë personale të shqiptarëve. Të gjithë këta po mbrohen në gjendje të lirë ndërsa duhet të kthehen në paraburgim deri më 30 qershor. Në akuzën e njëjtë është pëfshirë edhe ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Vllastimir Gjorgjeviq, i cili ndodhet në arrati.

XS
SM
MD
LG