Lidhje

Policia sekuestron 3 kg heroinë në portin e Vlorës


Në Shqipëri policia mundi të sekuestronte sot 3 kilogram heroinë në portin e Vlorës dhe arrestoi Bilal Hoxhën, punonjës i një trageti të linjës me qytetin e Brindizit në Itali.

Zbulimi i sasisë së drogës së rëndë u bë pas hetimive disa javore. Hoxha u kap sot në flagrancë ndërsa në një çantë sportive iu gjetën 6 pako me heroinë. Një ditë më parë policia shqiptare sekuestroi 2 kilogram të tjera heroinë dhe mbi 28 kilogram marijuanë.

Pothuajse çdo javë në Shqipëri policia po sekuestron sasira të konsiderueshme droge. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tre raste. I fundit është ai i ditës së sotme kur në portin e Vlorës agjentët e policisë zbuluan 3 kilogram heroinë dhe arrestuan një punonjës të tragetit Skënderbej që kryente udhëtimet në linjën Vlorë-Brinidizi të Italisë.

Drejtori i policisë së Vlorës i tha Zërit të Amerikës së zbulimi i sotëm ishte frut i hetimeve disa javore. Agjentët kishin patur sinjalizime dhe ishin vënë në gjurmët e Bilal Hoxhës, 62 vjecarit që falë punës në traget lëvizte lirisht në portin e Vlorës.

Ndërsa po bëhej gati të hynte në traget, Hoxha është ndaluar dhe në një cantë sportive të cilën ai kishte me vete janë gjetur 6 pakot me heroinë. Policia ka dyshime të forta se Hoxha ka mundur të transportojë drogë drejt Italisë dhe herë të tjera, gjatë udhëtimeve me tragetin ku ai punonte duke shërbyer si korrier për rrjetet e trafikut të narkotikëve.

Dje një tjetër sasi heroinë, 2 kilogram u kapën në pikën kufitare me Greqinë, në Kakavijë. Edhe në këtë rast droga nuk ishte fshehur por po mbahej në dorë nga një shtetas shqiptar i cili u arrestua menjëherë. Thuajsë në të njejtën kohë, po dje, por këtë herë në Durrës, falë një operacioni tjetër, u sekuestruan 28 kilogram e gjysëm marijuanë e presuar e tipit çokollatë.

Droga ishte ndarë në pako të shumta dhe ajo u gjet në një makinë me targa italiane pranë qytetit të Durrësit. Policia arrestoi dy të rinj që ndodheshin në makinë në momentin e operacionit. Qeveria shqiptare ka nisur një luftë të ashpër kundër trafikut të drogës.

Që nga janari i këtij viti janë mbi 33 raste të trafikut të heroinës ndërsa janë sekuestruar mbi 75 kilogram të këtij lloji droge, si dhe afër 2 kilogram kokainë. Po ashtu janë sekuestruar mbi 2 tonelata marijuanë. Në total sipas të dhënave të policisë llogariten të jenë arrestuar mbi 160 persona të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Një fushatë e gjerë kundër kultivimit të bimëve narkotike ka nisur tashmë nga Ministria e Brendshme e cila ka përgatitur 38 mijë fletrëpalosje dhe 500 postera që do shpërndahen në të gjithë vendin pèër sensibilizimin e opinionit shoqëror. Një fushatë e cila do të pasohet nga operacione konkrete në zonat ku kultivohet kanabis sativa. //rd//

XS
SM
MD
LG