Lidhje

Hayden: do të punoj për të shmangur ato dështime të zbulimit që i paraprinë luftës në Irak


Kandidati i Presidentit Bush për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA-n, tha se ai do të punojë për të shmangur ato dështime të zbulimit që i paraprinë luftës në Irak. Gjenerali Michael Hayden doli dje para një komisioni të senatit në kuadër të procesit të konfirmimit të tij. Dhe nuk u desh shumë që të fillonin pyetjet e vështira.

Para se gjenerali Hayden të fillonte dëshmitë, CIA ishte kritikuar nga disa senatorë mes të cilëve edhe demokrati, Carl Levin:

“Drejtori i ardhshëm duhet ta drejtojë këtë anije dhe ta rikthejë CIA-n në pozicionin e saj të rëndësishëm. Për ta bërë këtë, përparësia kryesore e drejtorit të ri duhet të jetë të marrë masa që informacioni që i shkon presidentit dhe Kongresit, të jetë i shpejtë, objektiv, dhe i pandikuar nga konsideratat politike.”

Gjenerali Hayden e pranon këtë dhe u angazhua për reforma.

Agjencia duhet të transformohet pa ulur ritmin e operacioneve të saj për të përballuar kërcënimet e sotme.”

CIA është kritikuar që i ka dhënë Presidentit informacione të pasakta para luftës në Irak, lidhur me armët e shkatërrimit në masë të këtij vendi, që nuk u gjetën kurrë. Senatori Republikan Pat Roberts, që kryeson Komisionin e Zbulimit, e paralajmëroi gjeneralin për gabimet e së ardhmes.

“Pas Irakut, pas dështimit të armëve të shkatërrimit në masë, ky komision nuk mund të besojë më me sy mbyllur informacionet e zbulimit,” tha Roberts.

“Ne kemi filluar tashmë disa ndryshime dhe roli im do të jetë të marr masa që ato të vazhdojnë dhe të jenë të suksesshme. Dy ose tri gjera më vijnë tani në mend: njera është transparencë më e madhe për ato që dimë, për ato që vlerësojmë dhe për ato që e dimë se nuk i dimë. Dhe t’i themi këto qartë, që të mos u japim shpresa të kota politikanëve ose komandantëve ushtarakë,” u përgjigj Hayden.

Programi i përgjimeve të brendshme të administratës së Presidentit Bush, i kryer nga Agjencia Kombëtare e Sigurimit, ishte një element tjetër ku u përqëndruan pyetjet. Gjenerali Hayden, që ka qënë drejtor i kësaj agjencie, ndihmoi për hartimin e programit që u konceptua pas sulmeve të 11 shtatorit dhe që parashikon përgjimin e telefonatave të personave të dyshuar për terrorizëm, qoftë kur ata janë brenda, ose jashtë Amerikës.

Në dëshminë e tij, gjenerali Hayden u përpoq t’i sigurojë senatorët se telefonatat u përgjohen vetëm terroristëve të dyshuar.

“Ne kemi rregulla të qarta. Vendimi për përgjimet merret nga ata punonjës të qeverisë që kanë njohuritë më të mirë për Al-Kaidën dhe rrjetin e saj të komunikacionit. Programi vëzhgohet me kujdes dhe ndiqet nga zyrtarë të lartë. Ai bazohet në përvojën më të mirë të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar.”

Por jo të gjithë senatorët janë të bindur. Demokrati Ron Wyden tha se njoftimet për përgjimet e brendshme i kanë shqetësuar shumë amerikanë. Të cilit gjenerali Hayden iu përgjigj.

“Senator, zgjidhja e vetme për ju është të bëni gjykimin e karakterit tim.”

Në se konfirmohet, gjenerali Hayden do të zëvendësojë zotin Porter Goss, i cili dha dorëheqjen papritur si drejtor i CIA-s, në fillim të muajit mes kritikave se e kishte politizuar agjencinë. Shumë prej zyrtarëve të lartë të CIA-s, u larguan gjatë dy vjetëve të fundit, të pakënaqur me drejtimin që po merte agjencia. Mesazhi i gjeneralit Hayden ishte se ai do të përpiqet t’i rikthejë prestigjin CIA-s.//ii

XS
SM
MD
LG