Lidhje

Presidenti Bush: qeveria e re e në Irak - një ditë e re për miliona irakianë dhe një kapitull i ri në marrëdhëniet me SHBA

  • Paula Wolfson

Presidenti Bush tha se qeveria e re e bashkimit kombëtar në Irak përbën një ditë të re për miliona irakianë, të cilët duan të jetojnë në liri, si dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të vazhdojnë të ndihmojnë udhëheqësit irakianë, ndërsa ata formojnë qeverinë.

Presidenti bëri një deklaratë të pazakontë për publikun në mëngjesin e së dielës në Shtëpinë e Bardhë për të përshëndetur zhvillimet e fundit në Irak.

“Formimi i qeverisë së bashkimit kombëtar në Irak përbën një ditë të re për miliona irakianë, të cilët duan të jetojnë në liri, si dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara,” tha Presidenti.

Zoti Bush tha se, gjatë bisedave telefonike, i uroi personalisht udhëheqësit e lartë të Irakut për formimin e qeverisë. Ai tha se i siguroi udhëheqësit irakianë se do të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“I sigurova ata se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin irakianët në përpjekjet për krijimin e një vendi të lirë, sepse unë e kuptoj fare mirë se një Irak i lirë do të jetë një aleat i rëndësishëm në luftën kundër terrorit, do të shërbejë si një humbje shkatërrimtare për terroristët dhe al-Kaidën dhe do të jetë shembull për të tjerët në Lindjen e Mesme, që dëshirojnë të jenë të lirë.”

Qeveria kushtetuese e Irakut – e para që prej përmbysjes së Sadam Huseinit, bëri betimin dje, megjithëse 3 poste të rëndësishme janë ende bosh.

Duke folur sot në rrjetin televiziv FOX, sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs citoi përparimin e bërë, por pranoi vështirësitë për të bashkuar sunitë, shiitët dhe kurdët.

“Në Irak kemi të bëjmë me manovrime të shumta politike. Njerëzit po dramatizojnë faktin se udhëheqësit irakianë nuk kanë mbushur disa poste të rëndësishëm, që kishin shpresur më parë. Por ne me të vërtetë duhet t’i japim një shans kësaj qeverie. Duhet të njohim faktin se, puna që ata kanë përpara është e vështirë dhe megjithatë politikisht kanë bërë një përparim shumë të madh.”

Sekretarja Rajs tha se diplomatët në Irak i kanë thënë asaj se 90 për qind e parlamentit mbështet qeverinë e re. Ajo la të kuptohet se kjo mbështetje mund të ketë të bëjë kryesisht me përqëndrimin dhe vendosmërinë e treguar nga kryeministri i ri irakian, Nuri al-Maliki.

“Ai është një udhëheqës i fortë. Unë e kam takuar atë dhe ai është një njeri i vendosur për të bërë atë që duhet për popullin irakian.”

Sekretarja amerikane e shtetit tha se dhuna sektare është një problem i madh me të cilin ndeshet qeveria e re irakiane. Ajo theksoi se kryeministri al-Maliki është zotuar ta bëjë sigurinë përparësinë e tij kryesore dhe të mposhtë terrorizmin dhe tiraninë.

Nga ana e tij, Kryeministri irakian al-Maliki tha te dielen se qeveria e tij e re do të shtojë masat e sigurimit. Ai i bëri këto komente pas takimit të kabinetit të tij - i pari që prej betimit të djeshëm. Ai tha se qeveria e tij ka në plan të krijojë një forcë të posaçme sigurimi për të pakësuar dhunën në Bagdat. Megjithatë, në përbërjen e kabinetit mungojnë ministrat e mbrojtjes, të brëndshëm dhe të sigurisë kombëtare për shkak të mosmarrëveshjeve politike se kush duhet t’i mbajë këto poste.

Kryeministri al-Maliki tha gjithashtu se përfundimi i dhunës së përditshme në Irak do të kërkojë pakësimin e mbështetjes së publikut për grupet kryengritëse, duke nxitur ripajtimin kombëtar dhe duke përmirësuar infrastrukturën e vendit.

Në aktin e sotëm më vdekjeprurës, nga një sulm vetëvrasës në një restorant plot me njerëz, humbën jetën 13 veta dhe u plagosën 17 të tjerë. Po sot, shpërthimi i dy bombave në anë të rrugës shkaktoi të paktën 2 të vrarë dhe 20 të plagosur në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Viktimat e tjera ishin rezultat i zjarrit të hapur nga makinat të rastit si dhe sulmeve gjetkë në Irak.//ii

XS
SM
MD
LG