Lidhje

Presidenti Bush vazhdon të reklamojë planin për legalizimin e miliona imigrantëve të paligjshëm


Presidenti Bush thotë se është koha që kongresi të dekretojë një reformë gjithpërfshirëse imigracioni. Michael Bowman i Zërit të Amerikës njofton nga Shtëpia e Bardhë, se presidenti Bush ia kushtoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio kësaj teme, e cila ka shkaktuar debate të shumta dhe demonstrata masive në të gjithë vendin, madje ka zbuluar edhe përçarje në partinë republikane.

Kjo temë ka sjellë qëndrime ekstreme për cështjen se si mund të frenohet imigracioni i paligjshëm dhe çfarë të bëhet me rreth 11 apo 12 milionë imigrantë të paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Të hënën e kaluar, presidenti Bush iu drejtua vendit në lidhje me këtë temë, dhe që atëherë ka vizituar kufirin amerikano-meksikan për të theksuar planin e tij për rregullimin e sistemit amerikan të imigracionit. Deri tani, dhoma e përfaqësuesve ka miratuar një rezolutë, e cila përqendrohet në zbatimin e rreptë të ligjit në kufij. Megjithatë, senati ende nuk ka miratuar një ligj gjithpërfshirës.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush i bëri thirrje senatit që të veprojë deri në fund të muajit, dhe i inkurajoi të dy dhomat e kongresit t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes projektligjeve të tyre, në mënyrë që legjislacioni përfundimtar të firmoset dhe të kthehet në ligj prej tij.

“Kongresi tani po diskuton mbi një legjislacion për reformën e imigracionit. Legjislacioni duhet të jetë gjithpërfshirës. Të gjitha elementet e këtij problemi duhet të trajtohen së bashku përndryshe asnjëra prej tyre nuk do të zgjidhet.”

Propozimi i presidentit Bush bën thirrje për dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare përgjatë kufirit amerikano-meksikan, dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar për të mbikqyrur rajonin kufitar. Plani bën thirrje gjithashtu për një program lejesh të përkohshme pune për punëtorët e huaj, zbatimin e ligjit ndaj punëdhënësve që marrin në punë punëtorë të paligjshëm dhe sigurimin e rrugës drejt shtetësisë imigrantëve që kanë pasur një jetë produktive në Shtetet e Bashkuara.

Kritikët e kongresit, shumica brenda partisë republikane, thonë se çdo rrugë drejt shtetësisë do të thotë amnesti për imigrantët që kanë thyer ligjin duke hyrë në vend në mënyrë të paligjshme. Por presidenti Bush nuk është dakord.

“Ekziston një rrugë e mesme ndërmjet dhënies automatikisht të shtetësisë çdo imigranti të paligjshëm dhe një programi dëbimi masiv. Imigrantët e paligjshëm që kanë rrënjët në vendin tonë, dhe duan të qëndrojnë, do të duhet të paguajnë një gjobë të konsiderueshme, të paguajnë taksat, të mësojnë anglisht, dhe të punojnë në një punë për disa vite. Ata njerëz që i përmbushin këto kushte duhet të kenë mundësinë të paraqesin kërkesën për shtetësi. Megjithatë, miratimi nuk do të bëhet automatikisht, dhe ata do të duhet të presin në radhë pas atyre që kanë ndjekur rregullat e lojës, dhe ligjin.”

Në përgjigjen e partisë demokrate, përfaqësuesi i Kalifornisë Mike Honda i bëri thirrje presidentit Bush t’i konfrontojë republikanët konservatorë të cilët duan t’i emërtojnë imigrantët e paligjshëm si njerëz që kanë kryer vepër penale, dhe t’i kriminalizojë ata nga të cilët janë ndihmuar. Projektligji i kongresit do të bënte pikërisht këtë gjë.

“Presidenti nuk ka arritur të udhëheqë, dhe të mbajë një qëndrim të qartë. Ai ka dështuar në sigurimin e kufijve tanë, dhe ka ndenjur anash ndërkohë që partia e tij republikane ka ngritur një retorikë të egër kundër imigrantëve dhe pastaj ka bërë lëvizje që kanë ndarë popullin amerikan për përfitime politike. Ndërkohë që senati vazhdon të diskutojë një reformë gjithpërfshirëse imigracioni, presidenti duhet të konfrontojë republikanët konservatorë.”

Debati për imigracionin po shfrytëzohet si pjesë e fushatës për zgjedhjet e kongresit në nëntor. Presidenti Bush shpreson të bashkojë partinë e tij, dhe t’i sjellë popullit amerikan rezultate për çështjet e rëndësishme.//ii

XS
SM
MD
LG