Lidhje

Shqipëri: Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimet ndaj Ligjit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë


Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot ndryshimet që parlamenti i bëri ligjit për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili parashikonte që anëtarët e tij nuk mund të ushtronin njëkohësisht dhe detyrën e gjyqtarit. Gjykata ka vlerësuar se ndryshimet e bëra bien ndesh me kushtetutën e vendit. Kërkesa për rrëzimin e këtij ligji ishte bërë nga një grup deputetësh të Partisë socialiste.

Patën një jetë shumë të shkurtër ndryshimet e bëra nga shumica e djathtë në pushtet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Përpjekja e tyre për të vendosur rregull, apo për të shmangur konfliktin e interesave në kupolën e drejtësisë shqiptare është rrëzuar poshtë si një shkelje e vetë kushtetutës së vendit, nga Gjykata Kushtetuese, e cila shpalli sot vendimin.

Sipas saj, shtesat dhe ndryshimet e ligjit jo vetëm dobësojnë vetqeverisjen e gjyqësorit, por vijnë në kundërshtim dhe me vetë rregullimin që kushtetuta i ka bërë përbërjes dhe funksionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lexohet në vendimin e gjykatës.

Me ndryshimet e propozuara në ligjin e rrëzuar sot, nëntë anëtarëve të KLD-se, të cilët ishin gjyqtarë dhe zgjidhen nga konferenca e gjyqësorit u hiqej e drejta e ushtrimit edhe të këtij funksioni, për të punuar me kohë të plotë si anëtar i KLDse.

Por Gjykata ka vlerësuar se është kushtetuta ajo që nuk e ndalon dicka të tillë, por përkundrazi e thekson se ata janë gjyqtarë, jo vetëm formalisht, por dhe realisht, gjyqtarë në detyrë.

Duke bërë këtë interpretim, Gjykata Kushtetuese jo vetëm që hedh poshtë ligjin, por në të vërtetë ajo duket se i hap rrugën një procesi që duhet të kthehet pas, pra të gjithë anëtarët, që si detyrim ndaj ligjit hoqën dorë nga detyrat si gjykatës, tani do të duhet t’i rimarrin ato.

Nisma për ndryshimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë u morr nga një organizatë qeveritare, e cila krijoi edhe lobing në parlament , ku krahas të djathtëve, për këtë ndërhyrje u rreshtuan në favor edhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ligji i ri u shoqërua në të vërtetë me shumë debate. Ai nuk u prit me entuziasëm as nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Ky komision paguan disa dhjetra mijë euro në muaj për një mision të specializuar asistence pranë Ministrisë së Drejtësisë, pikërisht për reformën në Drejtësi, por ky mision u anashkalua thuajse tërësisht.

Gjykata kushtetuese po shqyrton ndërkohë edhe disa nisma të tjera të qeverisë, për të cilat ka patur ankesa. Ajo ka pezulluar ndërkohë ligjin kundër nepotizmit , ndërsa do të duhet të japë përgjigje dhe për aktin normativ të qeverisë, i cili i jep kompetenca prefektëve të thërrasin e drejtojnë mbledhjen e këshillave bashkiake.

XS
SM
MD
LG