Lidhje

Mali i Zi: ndikimin e rezultatit pritet ta ndjejnë më shumë Serbia dhe Kosova

  • Barry Wood

Mali i Zi, republika më e vogël e ish Jugosllavisë, duket se po shkon drejt pavarësisë së plotë pas referendumit të së dielës në të cilin votuesit zgjodhën me rezultat të ngushtë shkëputjen nga konfederata me Serbinë. Ekspertët thonë se ndikimin e këtij rezultati pritet ta ndjejnë sidomos Serbia dhe Kosova.


Mali i Zi do të kthehet përsëri në pavarësinë e plotë që gëzonte për një periudhë 40-vjeçare, nga viti 1878 e deri në formimin e Jugosllavisë më 1918. I shtrirë në një rajon malor që zgjatet nga Deti Adriatik, Mali i Zi është një vend me popullsi prej më pak se 700 mijë banorësh.

Xhejms Lion, përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd, thotë se refuzimi i Malit të Zi për të ruajtur lidhjet me Beogradin me siguri që do të ketë një ndikim të fortë psikologjik në Serbi.


"Kështu ndodhi me Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë, Bosnjen, Kosovën ndërsa tani fjala është për një republikë që përbëhet nga serbë dhe që po i kthen shpinën Serbisë, duke thënë se nuk dëshiron të jetë pjesë e saj. Kjo është një goditje psikologjike mjaft serioze."

Serbët dhe malazezët kanë qenë konsideruar shpesh si i njëjti popull. Në fakt ata kanë të njëjtën gjuhë dhe janë të fesë ortodokse. Zoti Lion thotë se ndonëse ndikimi mbi politikën serbe ende është e vështirë të matet, referendumi i Malit të Zi do t’u japë më shumë guxim shqiptarëve të Kosovës, të cilët gjithashtu kërkojnë pavarësi nga Beogradi.

Dan Server, drejtor i projektit për Ballkanin në Institutin amerikan të Paqes në Uashington, thotë se ndikimi i këtij referendumi shtrihet përtej Malit të Zi.

"Efekti psikologjik tek ndërkombëtarët dhe në krejt rajonin është po ashtu i konsiderueshëm, sepse nëse Mali i Zi nuk mund të qendrojë në të njëjtin shtet me Serbinë, atëhere është e qartë se edhe shqiptarët e Kosovës që kanë aq pak gjëra të përbashkëta me Serbinë, nuk mund të qendrojnë dot me të."

Bashkimi Evropian e vlerësoi lart qetësinë me të cilën u zhvillua referendumi i së djelës dhe deklaroi se do ta njohë rezultatin.

Shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit, Havier Solana ishte arkitekti kryesor i unionit Serbi-Mal i Zi, i cili u formua në vitin 2003. Sipas kësaj marrëveshjeje, secila palë do të mund të votonte për shkëputjen. Bashkimi Evropian vendosi kritere të vështira për pavarësinë, duke ngulur këmbë që në votim të merrnin pjesë të paktën 50 përqind e njerëzve me të drejtë vote dhe që jo më pak se 55 përqind e tyre të shpreheshin për shkëputjen.

Lisa McClain, përfaqësuese e Institutit Demokratik Kombëtar amerikan në Podgoricë, thotë se hapi tjetër do të jenë bisedimet teknike me Beogradin për t’i dhënë fund unionit.

"Bisedimet do të kenë të bëjnë me ndarjen e borxhit, me ndarjen e arit dhe gjëra të tjera si këto. Pastaj do të punohet për arritjen e marrëveshjeve se ç’do të bëhet me shtetësinë e atyre që jetojnë në Serbi por janë shtetas malazezë si dhe ç’do të bëhet me kufirin?"

Analistja nuk shikon ndonjë arësye që këto negociata të mos përfundojnë para 13 korrikut, data kur qeveria malazeze shpreson të shpallë pavarësinë.

Kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukanoviç thotë se objektivi i tij i parë është të sigurojë marrëveshjen paraprake të asocimit me Bashkimin Evropian, të krijojë marrëdhënie pozitive me Serbinë dhe të realizojë harmoninë etnike brenda Malit të Zi.//ii

XS
SM
MD
LG