Lidhje

Takim Bush-Olmert në Shtëpinë e Bardhë


Kryeministri izraelit Ehud Olmert do të takohet sot me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Ky do të jetë takimi i parë mes tyre që kur zoti Olmert erdhi në detyrë këtë muaj.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti Bush dhe kryeministri izraelit do të diskutojnë mbi mënyrat për ta çuar përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Ata pritet të përqëndrohen në planin e zotit Olmert për ripërcaktimin e kufijve të shtetit hebraik, në rast se procesi i paqes midis Izraelit dhe palestinezëve vazhdon të mbetet i bllokuar.

Por zyrtarët amerikanë thanë se dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu lidhur me shqetësimet e tyre të përbashkëta rreth programit bërthamor të Iranit.

Kryeministri izraelit vjen në Washgington ndërkohë që shtohen tensionet midis qeverisë palestineze, e udhëhequr nga grupi ekstremist Hamas, dhe përkrahësve të presidentit palestinez Mahmud Abas, i cili kryeson grupin Fatah.

Megjithatë, kryeministri palestinez, udhëheqës i Hamasit, Ismail Hanijeh, është zotuar se mes fraksioneve palestineze opozitare nuk do të ketë një luftë për pushtet. Zoti Hanijeh foli sot hapur në Gazë, ku po takohet me disa grupe në përpjekje për të ulur tensionet.//ze

XS
SM
MD
LG