Lidhje

Projektligji i emigracionit në Shtetet e Bashkuara


Senati amerikan votoi me 73 vota pro dhe 25 kundër për ta kufizuar në kohë debatin mbi projekt-ligjin e ri të imigracionit, duke i hapur kështu rrugën miratimit të tij të pritshëm nesër.

Projekt-ligji i Senatit parashikon shtimin e masave të sigurisë në kufi dhe krijimin e një programi vizash pune sezonale, që do t’u ofronte 11 deri 12 milionë imigrantëve pa dokumente në Amerikë, një mundësi për të marrë shtetësinë, në se ata plotësojnë disa kushte, paguajnë një gjobë dhe mësojnë anglisht.

Senatori demokrat Ted Kenedi, i shtetit Masaçusets, i cili luajti rol kryesor në hartimin e projekt-ligjit, pret që reforma e imigracoinit të ketë mbështetje nga ligjvenës të të dy partive, kur Senati të kalojë në fazën e miratimit të saj.

“Kjo mund të jetë vota më e rëndësishe që do të hedhim në Senat, përsa i përket sigurimit kombëtar dhe humanizmit”, tha senatori Kenedi.

Projekt-ligji do t’i ndante imigrantët e paligjshëm në tri kategori: Ata që kanë qënë në Amerikë për 5 ose më shumë vjet, do të lejohen të qëndrojnë dhe të fillojnë procesin e marrjes së shtetësisë. Ata që kanë qënë për dy deri 5 vjet, mund të plotësosjnë dokumentet për status ligjor të rregullt, por vetëm pasi të jenë larguar më parë nga vendi. Dhe ata që kanë qënë për më pak se dy vjet, do të detyrohen të largohen.

Senatori republikan Arlen Spekter, i Pensilvanisë, e mbrojti propozimin, të cilin disa kritikë e kanë cilësuar si të pazbatueshëm.

“A është ai i tepër i komplikur për t’u zbatuar? JO. A i përshtatet kompleksit ekzistues të fakteve? PO. A ofron ai një kompromis për pikëpamjet e ndryshme? PO. A ka dikush një plan më të mirë? JO”, u shpreh Senatori Spekter.

Por një numër republikanësh të krahut konservator, besojnë se projekt-ligji i Senantit nuk përfaqëson reformën e duhur të imigracionit. Ata kundërshtojnë veçanërisht programin e vizave sezonale të punës, duke argumentuar se një program i tillë shpërblen me shtetësinë amerikane, ata që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht.

Senatori Xhef Seshëns është republikan nga shteti i Alabamës.

“Projekt-ligji që na është paraqitur është plot të meta. Ai nuk duhet lejuar kurrë të kthehet në ligj”, tha Sentori Seshëns.

Shumë ligjvenës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë të njejtin mendim.

Varianti i projekt-ligjit i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, nuk e parashikon programin e vizave sezonale dhe i cilëson imigrantët e paligjshëm si kriminelë. Dy dhomat e Kongresit duhet të negociojnë tani një variant të përbashkët për t’ia dërguar Presidentit Bush për miratim. Negociatat pritet të jenë të vështira.

Senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsi Graham, që mbështet variantin e Senatit, thotë se projekt-ligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve është tepër i ashpër dhe ai u bëri thirrje kolegëve të tij republikanë të tregohen më bujarë për këtë çështje.

“Ne nuk kemi nevojë, për mendimin tim, si amerikanë, që t’u japim ndëshkime të tilla njerëzve që nuk kanë bërë asgjë më shumë se sa janë përpjekur të arrijnë diçka për vete”, tha Senatori Graham.

Presidenti Bush mbështet variantin e ligjit të miratuar nga Senati.

XS
SM
MD
LG