Lidhje

English: SHBA përgëzon popullin malazez për referendumin historik


Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore pranë Departamentit të Shtetit, Charles English, theksoi se Uashingtoni përgëzon popullin e Malit të Zi për mënyrën e hapur, transparente dhe demokratike në të cilën u zhvillua referendumi. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, zyrtari i Departamentit të Shtetit theksoi gjithashtu se referendumi në Mal të Zi dhe procesi për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, janë dy çështje të ndryshme, prandaj edhe nuk duhen vendosur paralelizma mes tyre.

“Fakti që pjesëmarrja ishte kaq e përgjegjshme tregon se populli malazez dhe udhëheqësit në dy anët e debatit politik e morën këtë çështje me seriozitetin që meritonte. Kjo ishte një ngjarje historike dhe populli i Malit të Zi e ka trajtuar si një ngjarje historike,” tha zoti English.

Rezultatet janë paraprake dhe duhet të kofirmohen në bazë të proceseve përkatëse, thekson zoti English. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin bashkëpunimin me Malin e Zi në këtë çështje.

Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit u bën thirrje Serbisë dhe Malit të Zi të reagojnë me përgjegjësi në përgjigje të referendumit, gjatë procesit të negociatave që pritet të pasojë konfirmimin e rezultateve të referendumit.

Ne shpresojmë që Serbia dhe Mali i Zi do të bashkëpunojnë për të gjetur mënyrat më të mira për të ecur përpara, të cilat i shërbejnë interesave individuale por edhe të përbashkëta të këtyre vendeve. Ne dëshirojmë që këto vende të zënë vendet që u takojnë në institucionet evropiane dhe atlantike. Ata duhet të zgjidhin dallimet mes tyre dhe të gjejnë një rrugë bashkëpunimi për të ecur përpara.”

Zoti English thekson se nuk mund të nxirren përfundime për të ardhmen e statusit të Kosovës, bazuar në referendumin e Malit të Zi, pasi këto janë çështje të ndryshme politike dhe do të gjejnë zgjidhje të ndryshme:

“Udha e referendumit në Mal të Zi ishte përcaktuar nga Marrëveshja e Beogradit në vitin 2002 dhe nga kushtetuta e vitit 2003. Ndërsa çështja e Kosovës do të trajtohet në përputhje me udhën që ka përcaktuar Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parashikon një proces politik, i cili ka filluar tashmë për përcaktimin e statusit të Kosovës. Këto çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe po zhvillohen në drejtime të ndryshme. Unë nuk shoh ndonjë arsye që njëra zgjidhje të ketë ndikim tek tjetra.”

Zyrtari amerikan theksoi përsëri mbështetjen e Uashingtonit për procesin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

"Aktualisht ka filluar procesi i negociatave në të cilin të dyja palët janë angazhuar me ndërmjetësimin e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisari, i cili përfaqëson Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, dhe flet në emër të komunitetit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje. Ky proces po vazhdon me intensitet me synimin për të ulur të dyja palët në tryezën e bisedimeve në mënyrë që të gjendet një rrugë përpara e cila të pranohet nga të dyja palët në mënyrën më produktive.”

Zyrtari amerikan përqëndrohet tek procesi që vazhdon, duke theksuar besimin që ka Uashingtoni në aftësitë e ambasadorit Marti Ahtisari për të drejtuar negociatat, duke theksuar shpresën se procesi do të çojë në një zgjidhje pozitive që do të sjellë paqe dhe stabilitet, të cilat i nevojiten prej vitesh atij rajoni. //ad//

XS
SM
MD
LG