Lidhje

Radikalizmi i disa myslimanëve të Evropës - pasojë e pozitës së tyre ndërmjet dy kulturave të ndryshme


Sulmet terroriste të viteve të fundit, qoftë në Nju Jork e Uashington, Madrid a Londër kanë nxjerrë në qendër të vëmendjes çështjen e ekstremizmit islamik. Në këtë temë, Evropa tërheq vëmendje të veçantë, jo vetëm për shkak të protestave masive të myslimanëve në Francë, Danimarkë etj., ku ndarjet sociale janë thelluar edhe më tej, por edhe sepse sulmet e 11 shtatorit 2001 në Amerikë e patën zanafillën tek një celulë terroritësh në Hamburg. Në një diskutim të zhvilluar në Universitetin Xhons Hopkins, studiues e analistë të njohur shprehën mendimet e tyre lidhur me rrënjët e kësaj dukurie në Evropën e sotme dhe disa nga rrugët për zbutjen e saj.

As studiuesit e ftuar dhe as të pranishmit nuk vënë në dyshim se mënyra se si e trajton Evropa çështjen e ekstremizmit, dhe rezultatet kanë të bëjnë edhe me sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Islami, thotë eksperti Lorenco Vidino, autor i librit “Al-Kaida në Evropë: Fushëbetejë e Re e Xhihadit Ndërkombëtar”, nuk është besim që nxit dhunë. Ai mendon se një nga shkaqet e radikalizimit të disa myslimanëve të Evropës është pozita e tyre ndërmjet dy kulturave të ndryshme. “Provat hedhin poshtë ekuacionin se gjendja jo e favorshme ekonomike është baraz me radikalizim. Kjo është provuar në mbarë botën dhe në Evropë. Shumica e rreth 200 xhihadistëve të shqyrtuar në një studim, ishin të arsimuar dhe vinin nga familje më tepër të pasura”.

Eksperti thotë se ekziston një prirje shqetësuese që e ai quan “anti-kulturë antagoniste në rritje, tek disa të rinj myslimanë”. Në këtë anti-kulturë, thotë ai, kombinohen elemente të radikalizmit islamik me elementë të getove në qytete. Ai citon citon një zyrtar francez: “Shumë të rinj nga getot myslimane të Francës vishen si rapistë, përdorin marihuanë, pijnë alkool, e përsëri shohin video xhihadiste dhe foto të Bin Ladenit në ekranët e celularëve të tyre të shtrenjtë”.

Frenk Fukujama, profesor në Universitetin Xhons Hopkins, autor i disa librave të njohur në shkencat politike, e pranon se shumë prej këtyre elementëve kanë ngecur ndërmjet dy kulturave dhe janë flakur nga kultura në të cilën janë rritur, por shton se radikalizmi doli në skenë me globalizimin e islamit, kur myslimanët filluan të imigrojnë në perëndim, duke u shkëputur kështu nga kultura e tyre tradicionale. Ai shton se me globalizmin ka të bëjë edhe interneti e teknologjia e lartë në përgjithësi. “Ka patur debat të fortë nëse islami radikal është në thelb dukuri fetare apo ideologjike. Mendoj se ka elemente të të dyjave. Feja është tepër e rëndësishme, por ideologjia merr shumë elemente të doktrinave politike moderne dhe ushqehet nga i ashtuquajturi “islami kibernetik”. Fakti që jetojmë një një botë të globalizuar dhe të komunikimit të menjëhershëm, çdo padrejtësi që i bëhet një myslimani në çdo pjesë të botës, transmetohet gjithandej duke u bërë kështu shkak që shumë myslimanë të ndjehen viktima”.

Profesor Fukujama thotë se kalimi nga izolimi shoqëror në anarki nuk është dukuri e re. Si shembull, ai përmend lindjen e fashizmit në Gjermaninë e viteve 20, kur fshatarë nga komunitete tradicionale u sollën të punonin në industri, por po arritur të integrohen në jetën e qyteteve, dhe, kështu, thotë ai, mesazhet radikale të Hitlerit zunë rrënjë.

Daniel Benjamin, bashkautor i librit: “Sulmi i Ardhshëm: Dështimi në Luftën Kundër Terrorit”, thotë se integrimi i popullsisë imigrante në shoqërinë evropiane pengohet shumë nga rritja e islamofobisë. “Vihet re një rritje tmerruese e islamofobisë në Evropë. Gazetat amerikane ngrejnë shqetësimin e rritjes së antisemitizmit në Evropë dhe ky është problem serioz, por rritja e islamofobisë është me të vërtetë e tmerrshme. Shumë sondazhe tregojnë se një pjesë e mirë e publikut në shumë vende evropiane beson se myslimanët nuk duhet të kenë vend në shoqërinë e tyre dhe kjo do të krijojë probleme të mëdha në të ardhmen”.

Ambasadorja austriake në Uashington, Eva Novotni, tha se, që nga mesi i viteve 90, Bashkimi Evropian ka ngritur një qendër për trajtimin e ksenofobisë, racizmit dhe antisemitizmit, e cila po merret gjithnjë e më tepër me çështjen e radikalizimin e islamit, nga njëra anë, dhe islamofobisë, nga ana tjetër. Ajo shton se vendi i saj e ka njohur zyrtarisht islamin si fe që në mes të shekullit 19-të dhe se në Austrinë e sotme nxënësit myslimanë kanë të drejtë të marrin mësime të fesë së tyre, po aq sa edhe nxënësit e besimeve të tjera.

Ndërkaq diskutantët janë të një mendjeje se radikalizmi nuk përbën problem tek myslimanët në vendet e Evropës Lindore. Lorenco Vidino thotë se islami tradicional në Evropën Lindore ka qenë tepër i ndryshëm, më laik, se islami nga pjesë të tjera të botës. “Dhjetë, pesëmbëdhjetë vitet e fundit me luftën e Bosnjës, filluan të shkojnë të huaj që përfaqësonin shoqata bamirëse, organizata, në Bosnjë, Shqipëri e Kosovë me fonde nga Arabia Saudite e vende të tjera të Gjirit Persik. Në xhamitë e qendrat e ngritura prej tyre predikonin një lloj të ndryshëm interpretimi të islamit nga ai vendas. Por ata nuk kanë patur sukses dhe shumica e popullatës nuk e ka pranuar këtë lloj interpretimi të islamit. Megjithatë ka patur përjashtime, veçanërisht në zonat e varfëra dhe me papunësi të lartë, paratë e derdhura kanë patur një farë efekti”, thotë zoti Vidino.

Daniel Benjamin kujton fundin e viteve 90, kur “ekzistonin shqetësime të mëdha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund të lidhej me radikalizmin islamik, por ajo i qendroi larg këtij fenomeni me kujdes dhe vigjilencë. Nuk ma merr mendja se radikalizmi islamik do të jetë ndonjëherë problem për shqiptarët”.

Eksperti sugjeron krijimin e “një islami evropian”. Ai sjell Hollandën si shembull, ku imamë po kualifikohen në universitetet e vendit në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’u shpjegojnë besimtarëve vlerat e islamit tradicional që nuk e mbështet terrorizmin.

Analistët janë të një mendjeje se shkaqe e motivet e terrorizmit janë të shumta e të mbishtresuara dhe se zgjidhja është vetëm komplekse. //az//

XS
SM
MD
LG