Lidhje

Në Shqipëri, pesë partitë e majta nënshkruajnë marrëveshjen për zgjedhjet e ardhshme

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, pesë partitë që përfaqësojnë bllokun e majtë në parlament nënshkruan sot për herë të parë një dokument të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme. Sipas këtij dokumenti, të cilin e firmosi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, partitë e opozitës vendosin të dalin me kandidatë të përbashkët dhe një platformë të vetme në zgjedhjet për pushtetin vendor. Përfaqësuesit e opozitës janë të bindur se ato do të mund të provokojnë vitin e ardhshëm edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Disa javë më parë, partitë e opozitës së majtë nënshkruan dokumentin e parë të bashkëpunimit mes tyre. Një akt i cili,megjithatë, u konsiderua i cunguar për shkak të refuzimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u bashkangjitur në këtë nismë.

Sot, në të kundërt, LSI ishte në krah të katër partive të tjera. Të gjithë së bashku, të mbledhur në selinë e Partisë Socialiste, forcës kryesore të opozitës, vendosën të hedhin pas krahëve përcarjet e vjetra përballë objektivit madhor të cdo kampi politik, atij të fitores në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Marrëveshja e sotme parashikon se të 5 partitë e majta do të përfaqësohen në zgjedhjet e ardhshme me kandidatë të përbashkët dhe se do të kenë një program të vetëm elektoral, i cili parashikohet të jetë gati jo më vonë se katër muaj para ditës s votimit.

Një qëndrim të përbashkët këto forca politike do të mbajnë edhe në parlament, si dhe në vendimet që do të merren në komisionin e reformës zgjedhore. Një tryezë e nivelit të lartë do të ngrihet për të negociuar hartën e përfaqësimit elektoral. Ndoshta kjo do të jetë dhe pika më kritike që do të dëshmojë për qëndrueshmërinë e këtij bashkëpunimi, pasi këtu përplasen edhe xhelozitë dhe pretendimet që palët kanë ndaj njëra tjetrës.

Kryetarët e të 5 partive të majta e cilësuan si jë arritje të rëndësishme nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Kreu i partisë socialiste, Edi Rama, tha se megjithatë, ky është vetëm fillimi i një punë intensive që nuk do të mbetet vetëm në letër, por edhe në vizionin dhe programin e përbashkët të së majtës, e cila sipas tij, do të arrijë kështu të fitojë zgjedhjet vendore por edhe ato të përgjithshme.

Nga ana e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili vetëm pak ditë më parë realizoi dhe takimin e parë zyrtar me kryetarin socialist Edi Rama, u shpreh se partia e tij do të kontribuojë në realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Energjitë duhet të fokusohen në ballafaqimin me qeverisjen e dështuar dhe autoritare të Berishës tha ai, dhe të harxhojmë sa më pak në debate dhe polemika midis forcave të opozitës.

Krerët e partive të majta janë të bindura jo vetëm në një fitore në zgjedhjet e pushtetit vendor, por dhe në provokimn e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke menduar të shfrytëzojnë me sa duket bllokimin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

E majta hyri e përçarë në zgjedhjet e tre korrikut të vitit të shkuar dhe ky konsiderohet dhe si një nga shkaqet e humbjes së saj. Por përçarjet vazhduan dhe më gjatë, për muaj me radhë. Akti i sotëm duket se shënon, të paktën formalisht, mbylljen e një epoke përplasjesh dhe konfliktesh pa fund.

XS
SM
MD
LG