Lidhje

Shtohen shqetësimet e shkencëtarëve për gripin e shpendëve


Nga zhvillimet më të fundit për gripin e shpendëve, qindra vetë në një lagje të Bukureshtit janë izoluar në karantinë, ndërsa Rumania po merr masa për të mos lejuar shpërthimin në shkallë të gjerë të sëmundjes. Deri tani në Rumani nuk janë raportuar raste të virusit tek njerëzit. Ndërkohë, vdekja e shtatë anëtarëve të së njëjtës familje nga gripi i shpendëve në Indonezi, ka ngjallur shqetësime të mëtejshme për transmetimin e sëmundjes vdekjeprurëse në radhët e njerëzve.

Vdekja e pjesëtarëve të një familjeje në veri të Sumatrës ka shkaktuar shqetësim të madh në Organizatën Botërore të Shëndetësisë:

" Ne kemi dërguar atje një ekip, i cili po shqyrton se ç’po ndodh dhe në fakt ata nuk po gjejnë dot që burimi të ketë qenë nga kafshët; pikërisht kjo gjë ne po na shqetëson. Në mungesë të një burimi të njohur nga kafshët, ne duhet ta trajtojmë këtë si një rast të mundshëm të transmetimit të virusit nga njeriu tek njeriu."- thotë specialisti.

Megjithatë, shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nuk kanë gjetur fakte për ndryshimin e formës së virusit, që të shkaktonte përhapjen e sëmundjes në shkallë botërore.

" Pavarësisht se ç’po ndodh atje në këtë fazë, kemi të bëjmë thjesht me një rast të kufizuar të transmetimit midis njerëzve të së njëjtës familje. Ajo që po vëzhgojmë aktualisht, është për ndonjë shenjë të përhapjes së virusit jashtë kësaj familjeje. Kjo do të ishte tepër shqetësuese, deri tani ne nuk e kemi vënë re një gjë të tillë."- thote eksperti.

Eksperti amerikan për gripin e shpendëve, Dr. Anthni Foci, thotë se historia e mjekësisë tregon se viruset e gripit kanë prirjen në ndryshojnë.

"Nuk mund të jap një shifër të qartë se cila do të ishte mundësia që virusi H5N1 të përsojë ndryshime gjenetike, ose të shndërrohet në variante të reja, që do ta lejonin të transmetohej midis njerëzve."-thotë ai.

Doktor Fauci thotë se epidemitë janë pashmangshme, ashtu sikurse edhe tërmetet dhe se askush nuk mund të parashikojë në se ato do të ndodhin në dy, apo në 20 vjet. Megjithatë, ai paralajmëron se do të ishte çmenduri që të mos përgatitesh për to.

"Kjo nuk do të thotë që ne të frikësohemi, dhe nuk do të thotë se botës po i vjen fundi. Kjo do të thotë t’i kushtosh vëmendje asaj që po ndodh dhe të përgatitesh nga pikëpamja e shëndetit publik, për prodhimin e një vaksine, nga pikëpamja që ilaçet të jenë të afta për të përballuar një epidemi, për të cilën ne mendojmë se nuk do të ndodhë kurrë."- thotë ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shumica e rasteve vdekjeprurëse të gripit të shpendëve tek njerëzit, kanë ndodhur në Vietnam, Indonezi, Tailandë dhe Kinë. Më tepër se gjysma e 218 njerëzve, të cilët dihet që janë infektuar me sëmundjen në mbarë botën, kanë vdekur.//lk

XS
SM
MD
LG