Lidhje

Roli amerikan në nxitjen e demokracisë ka të bëjë me sisteme dhe jo parti të veçanta


Për shumë vende, ndihma e qeverisë amerikane dhe e organizatave jo-qeveritare, ka qenë një nga faktorët kryesorë për nxitjen e ndryshimeve demokratike. Por megjithëse ideja e krijuar në vendet që kanë kaluar përmbysje sistemesh, është që Shtetet e Bashkuara kanë pasur rol në përcaktimin e forcave që kanë ardhur në pushtet, në një diskutim në Uashington, përfaqësues të qeverisë dhe organizatave amerikane theksuan se ato nuk marrin anën e asnjë partie politike. Folësit në debat patën gjithsesi mendime të ndryshime mbi rolin amerikan në zhvillimet politike të një vendi.

Në Shqipëri përmbysja e sistemit komunist në fillim të viteve 1990 shihet e lidhur në mënyrë të pashmangshme me angazhimin amerikan. Ndikimi i madh Uashingtonit shihet edhe sot, ndërsa forcat e ndryshme politike, përpiqen t’i komentojnë si në favor të tyre deklaratat e ndryshme, qoftë zyrtare, qoftë jo zyrtare.

Por si e përcakton Uashingtoni se cilën forcë politike do të mbështesë? Dhe a bëhet në fakt një përzgjedhje? Duke përmendur rastin e Shqipërisë, një zyrtar i Institutit Demokratik Amerikan, kujton se në fillimet e demokracisë në këtë vend nuk bëhej fjalë për mbajtjen e njërës anë apo tjetrës. Ivan Doherty është Drejtor i Programeve për Partitë Politike:

“Problemi me Shqipërinë ishte se partitë ishin të dobëta, në lindje e sipër dhe ne punuam në nivele më të ulëta duke u përpjekur të gjenim disa udhëheqës të rinj. Nuk bëhej fjalë për të marrë anën e njërës palë, apo tjetrës, por ne përballeshim me një sistem politik me shumë probleme dhe vështirësi”.

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara me programet e tyre mbështesin sistemet përfaqësuese shumëpartiake dhe nuk përpiqen të përcaktojnë rezultatet e zgjedhjeve. Paul Bonicelli, është zëvendës ndihmës i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në zyrën për Demokracinë, Konfliktin dhe Ndihmën Humanitare:

“Agjencia jonë mbështet një sistem demokratik dhe jo partitë e veçanta. Ndihma është vetëm për të mbështetur demokratizimin, zhvillimet politike kundër kaosit dhe despotizmit”.

Zoti Bonicelli shton se agjencia e tij mbështet vetëm parti demokratike dhe vetëm kur burimet, apo faktorë të tjerë e përcaktojnë që këto parti janë me peshë.

“Se cilat janë partitë që duhet të mbështeten përcaktohet nga ambasadat tona në vend. Ato e kanë informacionin e duhur për të sugjeruar se cilat parti e meritojnë mbështetjen dhe kanë aftësinë të bëjnë për vete shoqërinë, që mund të jenë efektive po të kenë burimet e duhura për të realizuar ndryshime dhe natyrisht që ato duhet të mbështeten në idealet bazë demokratike, duhet të jenë demokratike në praktikat e tyre, t’i ndjekin këto parime vetë dhe të mos kenë thjesht dëshirën të fitojnë dhe të shtypin armiqtë e tyre politikë”.

Por Thomas Carothers, Drejtor për Projektin për Demokracinë dhe Shtetin Ligjor në Fondacionin Carnegie, mendon se është e pamundur që organizatat amerikane që punojnë me partitë politike në vende të tjera, të mos kenë një ndikim politik.

“Atyre që inkurajojnë demokracinë u duhet të kenë një rol politik në mënyrë që të jenë efektivë. Pretendimi se ata veprojnë jashtë politikës, nuk është real dhe nuk besoj se është shumë i vlefshëm”.

Ai thotë se pyetja më e vështirë është a duhet që organizata të tilla si për shembull, Instituti Republikan dhe Instituti Demokratik Amerikan të mbështesin forca të caktuiara politrike në vende të tjera. Sipas tij në përgjithësi ato nuk duhet të jenë partiake, por megjithatë ai shton se ka disa përjashtime.

“Të gjitha llojet e ndihmës për demokracinë kanë të bëjnë me përzgjedhje të aktorëve që duhen mbështetur”.

Zoti Carothers thotë se këto organizata përdorin argumentin se thjesht po përgatisin terrenin dhe nuk mbështesin ndonjë parti apo koalicion të caktuar.

“Së pari kjo nuk është krejtësisht e vërtetë dhe kur flet me përfaqësuesit e këtyre organizatave në terren, ata bëjnë të gjitha përpjekjet që opozita të fitojë, ata duan me çdo kusht që opozita të fitojë. Po të flasësh me njerëzit që punuan me forcat kundër Millosheviçit në fund të viteve 1990 në Serbi, nuk ka diskutim që ata punonin pro forcave kundër Millosheviçit”.

XS
SM
MD
LG