Lidhje

Kryeministri Çeku viziton Tiranën


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku mbërriti sot në Tiranë për një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit Sali Berisha. Kjo është vizita e tij e parë në kryeqytetin shqiptar që nga marrja e postit të drejtuesit të qeverisë së Kosovës.

Zoti Çeku do të takohet me autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të Shqipërisë, që nga presidenti Alfred Moisiu deri te udhëheqësit e partive kryesore në vend.

Tema kryesore e bisedimeve pritet të jenë zhvillimet në Kosovë dhe ecuria e negociatave për përcaktimin e statusit përfundimtar. Në të vërtetë Tirana ka mbështetur pa mëdyshje pavarësinë e Kosovës, pavarësisht debateve që shkaktuan muajt e kaluara disa deklarata të ministrit të jashtëm të saj Besnik Mustafaj.

Megjithatë qeveria shqiptare ka përsëritur disa herë se ajo nxit dialogun Prishtinë Beograd por se vetë nuk do të merrte asnjëherë pozitat e aktorit në këtë proces. Por në takimet në Tiranë pritet të flitet dhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh vecanërisht në fushën ekonomike dhe atë të turizmit.

Me afrimin e sezonit të verës pushuesit nga Kosova përbëjnë një numër të konsiderueshëm në totalin e turistëve që frekuentojnë Shqipërinë. Nga ana tjetër për t’I dhënë një shtysë marërdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare qeveria shqiptare ka vendosur si prioritet të saj ndërtimin e rrugës që do të lidhte portin e Durrësit me Kosovën. //rd//

XS
SM
MD
LG