Lidhje

Dielli - Burim i energjisë alternative


Rritja e çmimeve të naftës kohët e fundit ka bërë që të shtohet interesi për burimet energjtike alternative. Veçanërisht për ato që nuk varen nga ndryshimet në skenën politike, që janë të ripërtëritëshme dhe që shkaktojnë pak ndotje. Një prej këtyre burimeve është i rigjenerueshëm madje i pashterrshëm. Dhe në se ky burim do të shuhej ndonjëherë, pasojat do të shkonin përtej furnizimit me energji.

Dielli ndriçon vazhdimisht. Disa ditë janë më të mira se të tjerat, por për sa kohë që dielli del, panelet diellore prodhojnë energji. Përkrahësit thonë se energjia diellore është e qetë, e pastër dhe e sigurtë. Ron Rash është president i Shoqatës së Industrisë Diellore në Shtetet e Bashkuara: “Gjatë dekadës së ardhshme nga energjia diellore do të përftohen 10 gigavat energji elektrike, e barabartë me atë të 10 centraleve bërthamore.”

Kjo rritje e shpejtë përfshin krijimin e komplekseve diellorë që tani po ndërtohen nga firmat energjitike në mbarë vendin si dhe nga paneele më të vogla, që instalohen në çati për përdorim individual. John Benner, i Qendrës Kombëtare të Paneleve Diellorë në Kolorado, thotë se çelësi i energjisë diellore është përmirësimi i aftësisë së fotoelementëve për të kthyer dritën në energji.“Me një koeficient 15 përqindësh, në një sipërfaqe prej 1 metri katror, prodhohen 150 vat energji, e mjaftueshme për një llampë. Ne po punojmë sot që ta katërfishojmë këtë koeficient”, thotë Benner.

Një ndërtesë në Uashington, zyra e Shoqatës së Punëtorëve të Sektorit Energjitik, është një mjedis i përshtatshëm për të instaluar panele në çati për të demonstruar se si mund të integrohet energjia diellore me forma të tjera për të prodhuar elektricitet. Gary Disler është një prej inxhinierëve pjesmarrës në projekt: “Nga panelet diellorë në çati, energjia shkon në kutinë ndërprerëse, prej andej në transformator. Nga transformatori shkon në kutinë shpërndarëse dhe prej andej hyn në rrjetin kryesor të ndërtesës për ta furnizuar atë me energji.”

Sipas disa ekspertëve, Shtetet e Bashkuara, dikur udhëheqës botëror, sot kanë mbetur prapa në këtë teknologji. Por gjendja duket se po ndryshon. Ngritja e çmimeve të naftës dhe benzinës, si dhe shqetësimet rreth ngrohjes globale kanë shtuar interesin tek burimet alternative të energjisë.

Energjia diellore nuk është si energjia e erës, që kërkon turbina të mëdha, thotë Ndihmës Sekretari i Departamentit të Energjitikës, Andy Karsner: “Unë parashikoj që energjia diellore do të përdoret fillimisht për ndërtesat industriale, para se të përhapet tek konsumatorë individualë.” Sipas zotit Karsner, përhapja e gjerë e kësaj teknologjie në Japoni dhe Gjermani, ka ardhur kryesisht si rezultat i subvencioneve të mëdha shtetërore. “Energjia diellore është një mall luksoz dhe për vende të pasura që paguajnë një çmim për mjedisin.” Zyrtari shton se rritja e këtij sektori është ngadalësuar si rezultat i mungesës së silikonit, një prej elementëve kryesorë të paneleve diellorë. Kjo ka çuar në rritjen e çmimit të energjisë diellore.

Subvencionet qeveritare kanë ndihmuar për ta bërë atë më të përballueshme, por Ron Rash i Shoqatës së Energjisë Diellore, thotë se një ditë kjo do të bëhet forma e preferuar e energjisë: “Sot energjia diellore, me subvencionet e qeverisë është e përballueshme. Çështja është kur do të jetë ajo e përballueshme pa subvencione? Ne parashikojmë që do të duhen 10 vjet para se energjia diellore të bëhet burimi më i lirë i prodhimit të elektricitetit”, thotë zoti Rash.

Shkencëtarët parashikojnë një ulje prej 50 përqind të kostos së energjisë diellore gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Dhe ndërsa çmimi i burimeve të tjera energjitike rritet, energjia diellore po bëhet gjithnjë e më e preferueshme. Ndërtuesit e shtëpive në rajonet jug-perëndimore të Amerikës, me ditë të shumta me diell, kanë filluar të ofrojnë shtëpi me panele diellore në çati.//rd//

XS
SM
MD
LG