Lidhje

Kryeministri Çeku: Nuk ka alternativë tjetër veç pavarësisë së plotë dhe të pakushtëzuar të Kosovës

  • Intervistoi: Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Zëri i Amerikës: Serbia ka kërkuar që të bëhen bisedime të drejtpërdrejta të menjëherëshme për statusin, që procesi negociator të mos vazhdojë siç ka vazhduar deri tani, madje ka shprehur pakënaqësinë e saj të thellë edhe ndaj negociatorëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i Grupit të Kontaktit, me sa duket, ka qenë që të mos merret parasysh kjo kërkesë e Serbisë. A ka ndryshuar diçka në qëndrimin e palës së Kosovës në këtë?

Kryeministri Agim Çeku: Jo, asesi nuk ka ndryshuar asgjë, ne vazhdojmë të besojmë dhe të mbështesim procesin politik, kornizat e së cilit i ka vendosur zoti Ahtisari, ta mbështesim zotin Ahtisari dhe ekipin e tij. Krahas kësaj mbështetjeje dhe këtij qëndrimi kërkojmë nga Grupi i Kontaktit dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të mos bien pre e tentimeve të Beogradit, që në esencë, kanë si qëllim që ta zvarrisin procesin, apo ta pengojnë procesin. Ne insistojmë gjithashtu që procesi të vazhdojë brenda këtij kuadri dhe të përfundojë brenda këtij viti.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, pala e Kosovës, pala shqiptare e Kosovës ka thënë gjithmonë se pret që zgjidhja e statusit të Kosovës të jetë pavarësia. A jeni shprehur ju, a mendoni se do të ketë ndonjë zgjidhje tjetër të ndërmjetme për një periudhë të caktuar kohore?

Kryeministri Agim Çeku: Jo. Fillimisht, nuk bëhet fjalë për palën e shqiptarëve, bëhet fjalë për palën kosovare, sepse në ekipin tonë negociator është çdo herë edhe një përfaqësues i komuniteteve të tjera; këtë radhë, herën e fundit ka qenë i komunitetit turk, kështu që bëhet fjalë për palën kosovare. Ne absolutisht nuk e shqyrtojmë dhe mendojmë se është plotësisht e papranueshme. Nuk ka alternativë tjetër përveç pavarësisë së plotë, të pakushtëzuar dhe të sovranitetit të plotë të Kosovës. Ajo do të jetë e vetmja zgjidhje, e cila garanton që Kosova të jetë vend stabil, që Kosova të jetë vend funksional, që Kosova të prodhojë stabilitet në rajon, që e vetmja zgjidhje që garanton një zhvillim ekonomik të Kosovës, që garanton një pajtim ndëretnik dhe që garanton një bashkëpunim rajonal.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, megjithatë, ju e dini që serbët e Kosovës vazhdojnë të jenë kundër pavarësisë së Kosovës edhe si opsion. Si do t’i bindni ju ata që të jetojnë në një Kosovë të pavarur?

Kryeministri Agim Çeku: Ne mendojmë që serbët e Kosovës janë në radhë të parë të manipuluar nga ana e Beogradit, që serbët e Kosovës i përdor si misionerë, jo si qytetarë të Kosovës. Shihet qartë, se nuk është e brengosur për mirëqënien e tyre, për akomodimin e tyre në Kosovë, por ka një axhendë politike, që dëshiron ta realizojë përmes serbëve të Kosovës. Serbët e Kosovës duhet të mësojnë pak nga shembulli i Malit të Zi, kur komunitete të tjera në Mal të Zi, edhe shqiptarët e Malit të Zi, boshnjakët në Malin e Zi, votuan për shtetin e tyre dhe dhanë votën që të jetojnë së bashku në një shtet të pavarur, së bashku me komunitete të tjera. Unë mendoj që kjo është në të mirën e tyre dhe ata gradualisht do ta kuptojnë këtë, por edhe ne me aktivitetet tona, me punën tonë të përgjegjshme, duke i trajtuar ata si qytetarët tanë, do t’i inkurajojmë ata që ta kuptojnë atë lidhmëri të tyren në Kosovë, t’i nxisim që të kenë besim në të ardhmen e tyre në Kosovë, të kenë besim në institucionet e Kosovës, që janë në të vërtetë edhe institucione të tyret, dhe e kanë brengë mirëqënien e tyre.

Zëri i Amerikës: Sa të sigurtë janë serbët e Kosovës për të dalë nga enklavat dhe për t’u integruar në jetën e Kosovës?

Kryeministri Agim Çeku: Unë mendoj që janë të sigurtë, që kanë liri të lëvizjes dhe nuk e shfrytëzojnë këtë liri të lëvizjes. Është një barrierë psikologjike, mendojnë se nuk janë të sigurtë duke mos e ushtruar këtë të drejtë, duke u ndier të tillë, një pasiguri u imponohet nga Beogradi. Beogradi u thotë që nuk janë të lirë të lëvizin. Mendoj që është krijuar një atmosferë e favorshme në kuptimin e integrimit të minoriteteve, respektimin e lirisë së lëvizjes, të të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe mendoj që ata duhet vetëm ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe këtë mundësi, që ne si institucione të Kosovës dhe si komunitet shumicë ua ofrojmë.

Zëri i Amerikës: Si Kryeministër i Kosovës cili është mesazhi juaj për serbët e Kosovës?

Kryeministër Agim Çeku: Unë mendoj se mesazhi për serbët është që të Besojnë, se kanë arsye të plotë që të besojnë në të ardhmen e Kosovës, në të ardhmen e tyre në Kosovë, të mos humbin kohë dhe energji dhe të fillojnë të integrohen në jetën e përditshme në Kosovë, së bashku me qytetarë të tjerë dhe komunitete të tjera dhe të integrohen në institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG