Lidhje

SHBA: Ceremoni me rastin e Ditës së të Rënëve

  • Paula Wolfson

Dje, me rastin e Ditës së të Rënëve, amerikanët përkujtuan të gjithë ata që humbën jetën në luftrat e ndryshme. Presidenti Bush mbajti një fjalim në varrezën më të madhe ushtarake të vendit.

Presidenti Bush qendronte në ceremoni pranë pjestarëve të forcave të armatosura, veteranëve dhe familjeve të atyre që kanë dhënë jetën në shërbim të vendit. Presidenti Bush e hodhi vështrimin nga radhët e pafund të varreve ushtarake në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit dhe tha me pak fjalë: ky është vendi ku fle trimëria.

"Të gjithë ata që janë varrosur këtu, e kuptuan detyrën e tyre. Ata panë një hije të zezë në horizont dhe shkuan të përballen me të. Ata e kuptuan se tiranisë i duhet përgjigjur me vendosmëri dhe se liria është gjithmonë rezultat i guximit."

Presidenti tha se ai përulet me respekt para atyre që sakrifikuan veten për lirinë. Ai tha se Amerika e nderon kujtimin e tyre në Ditën e të Rënëve dhe në çdo ditë tjetër.

"Vendi ynë është i lirë në sajë të amerikanëve si këta, të cilët dolën vullnetarisht për t’u ndeshur me armiqtë tanë jashtë vendit, në mënyrë që neve të mos na duhet të përballemi me ta këtu në shtëpinë tonë. Vendi ynë mban zi për humbjen e burrave dhe grave në uniformë; ne do t’i kujtojmë me nderim ata duke përmbushur misionin për të cilin ata dhanë jetën e tyre – duke mposhtur terroristët, duke çuar përpara çështjen e lirisë dhe duke hedhur bazat e paqes për brezin e amerikanëve të rinj."

Presidenti vuri në dukje se rreth 270 ushtarakë, burra e gra nga të 2 mijë e 500 amerikanëve të vrarë në krye të detyrës që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, janë varrosur në Arlington. Ai tha se ata janë një kujtesë ndaj vendit për koston njerëzore të luftës kundër terrorit.

Në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit janë varrosur gjithsej rreth 300 mijë të rënë – ushtarë, detarë, pilotë dhe marinsa.//ii

XS
SM
MD
LG