Lidhje

Shqipëri: Enti Rregullator i Energjisë miraton tarifat e reja


Duke nisur që nga 1 korriku çmimet e energjisë do të ndryshojnë. Pas shumë propozimesh të bëra nga Kesh-i, Korporata Energjitike shqiptare por dhe nga qeveria, Enti Rregullator I Energjisë, miratoi sot tarifat e reja që do të jenë në fuqi deri në fund të këtij viti.

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe nga kryeministri Sali Berisha, nga sistemi i ri do të përfitojnë të gjithë kategoritë e biznesit, për të cilët ulja e çmimit të energjisë do të jetë mjaft e ndjeshme: ajo shkon deri në 36 përqind më e lirë për disa katergori të aktivitetit prodhues. Por mesatarisht për biznesin, nga 9.62 lekë për kilovat orë që ishte çmimi e deritanishëm, ai shkon në 7.54 lekë, ose e shprehur ndryshme 22 përqind më pak.

Për familjarët energjia do të rritet në masën 11 përqind. Nëse do të marrim parasysh propozimin fillestar të Koroporatës Energjitike, e cila kërkonte një rritje prej gati 29 përqind, çmimi i miratuar sot nga Enti Rregullator është zbutur ndjeshëm.

Tani më nuk do të aplikohet sistemi dy tarifor, por do të ketë një çmim fiks prej 7 lekësh, ndërkohë që mesatarja e mëparshme ka qenë në 6.3 lekë. Qeveria kishte premtuar se do të kompensonte energjinë për disa kategori familjesh, afro 190 mijë që konsiderohen të varfëra, familjet e pensionistëve dhe të punonjësve buxhetorë me të ardhura nën 35 mijë lekë në muaj.

Siç njoftoi sot Enti Rregullator, janë identifikuar në total 270 mijë familje për të cilat do të zbatohet një skemë kompensimi. Këto familje do të paguajnë për konsumin deri në 220 kilovat orë, vetëm, 4.5 lekë. Diferenca me çmimin prej 7 lekësh do të mbulohet nga qeveria, e cila merr kështu përsipër një faturë që llogaritet të jetë deri në 18 milionë dollarë.

Tarifat e reja të energjisë kaluan përmes një debati të gjatë. Avokati i popullit, por dhe disa organizata të tjera jo qeveritare kundërshtuan rritjen e energjisë. Më pas qeveria, në muajin prill nuk aprovoi çmimet e propozuara nga Korporata energjitike, dhe njoftoi ngritjen e një grupi pune që përcaktoi masën e kompensimit për kategoritë e ndryshme familjare.

XS
SM
MD
LG