Lidhje

Qeveria shqiptare shton masat për të siguruar të drejtat e fëmijëve


OKB i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të trajtojnë problemet e fëmijëve si një çështje e dorës së parë. Zyrtarë të UNICEF-it pohuan sot në Tiranë, se Shqipëria ka shumë për të bërë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

"Fëmijët duhet të jenë një cështje me përparësi të lartë nga qeveria. - tha Keri Auer, përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri. - Disa nga politikat shtetërore duhet të jenë më shumë frytdhënëse për fëmijët, sic janë programet për mjekësi dhe shkollim. Politikë-bërësit - thotë zonja Auer - duhet t'i vendosin nevojat e fëmijëve në plan të parë".

Sipas saj, megjithë përparimin, ka ende shumë punë për të bërë, ka ende shumë fëmijë që nuk i gëzojnë të drejtat e tyre, sepse jetojnë në kufijtë e varfërisë, nën diskriminim, dhe izolim gjeografik.

Ajo thotë se për të krijuar një klimë mbrojtëse për fëmijët janë përgjegjëse jo vetëm qeveria, por edhe organizatat e shoqërisë civile. Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se puna në mbrojtjen e fëmijëve, do të fillojë me fëmijët e braktisur, të cilët janë shpesh pre e trafikantëve.

"Qeveria është e vendosur të bëjë çdo investim, të ndërmarrë çdo hap në mënyrë që në Shqipëri, në shoqërinë tonë fëmija të jetë i pari i të parëve. Duhet ta fillojmë nga fëmijët e braktisur, të cilët nuk duhet të ekzistojnë më në shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht aktualisht ata janë jo të paktë në numër" - thotë zoti Berisha.

Sipas një raporti vjetor të UNICEF-it, në Shqipëri janë mbi 290 mijë fëmijë nën minimumin jetik, për shkak të varfërisë, keq-qeverisjes, migracionit dhe diskriminimit.

Ky është niveli më i lartë i varfërisë së fëmijëve në të gjithë Europën ish-komuniste. Një numër i madh i fëmijëve nuk ndjekin shkollën e mesme, ndërsa pjesa dërrmuese tyre detyrohen të punojnë, madje punë mjaft të vështira, pohon raporti.

XS
SM
MD
LG