Lidhje

Trazira antiamerikane në Kabul – autoritetet vendosin ndalimqarkullimin

  • Benjamin Sand

Autoritetet në Afganistan vendosën një ndalim-qarkullim të rreptë gjatë natës në të gjithë kryeqytetin Kabul, pas trazirave anti-amerikane që morën shkas nga një aksident rrugor ku ishte implikuar një autokolonë ushtarake amerikane. Të paktën 13 vetë humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën rëndë.


Protestat e dhunshme u përhapën te henen në të gjithë kryeqytetin. Sipas dëshmitarëve, këto janë trazirat më të rënda civile në Kabul që nga viti 2001 kur forcat e koalicionit dëbuan talebanët nga pushteti.

Trazirat filluan kur një kamion ushtarak amerikan u përplas aksidentalisht dje në mëngjes me rreth 10 automjete civile. Zyrtarët vendas thanë se nga përplasja u vranë të paktën 5 vetë dhe u plagosën 5 të tjerë.

Brenda pak minutash, pranë vendit të ngjarjes shpërthyen protesta dhe qindra njerëz filluan të hedhin gurë dhe sende të tjera në drejtikm të ushtarëve amerikanë.

Ndërkohë që policia vendase përpiqej të rimerrte në kontroll situatën, u dëgjuan të shtëna armësh.

Një numër dëshmitarësh thonë se kishin parë ushtarët amerikanë të hapnin zjarr ndërsa sipas disa të tjerëve, përgjegjësinë për viktimat e kishte policia vendase.

Zëdhënësi ushtarak amerikan, Kolonel Thomas Collins thotë se trupat amerikane qëlluan vetëm në ajër, në shenjë paralajmëruese, kur turma u përpoq të rrethonte automjetet e tyre.

"Kur turma u bë armiqësore, automjetet e koalicionit u përpoqën të largohen nga zona për të ulur tensionet. Ka shenja se të paktën një automjet ushtarak i koalicionit qëlloi në shenjë paralajmëruese mbi kokat e njerëzve."

Deri në mesditë, qindra protestues kishin dalë nëpër rrugë, në disa zona të kryeqytetit. Kudo në qytet mund të dëgjoje të shtëna me armë automatike.

Demonstruesit marshonin nëpër rrugë, duke sharë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Hamid Karzai i cili ka mbështetjen amerikane. Disa njerëz thërrisnin "Vdekje Amerikës!" dhe "Vdekje Karzait."

Protestuesit plaçkitën disa dyqane dhe sipas njoftimeve sulmuan zyrat e një agjencie perëndimore ndihmash.

Forcat afgane të sigurimit dhe paqeruajtësit e NATO-s, shumë prej të cilëve me tanke, janë dislokuar në të gjitha pjesët e Kabulit.

Presidenti Karzai mbajti dje pasdite një fjalim në televizion drejtuar vendit ku bëri thirrje për qetësi.

Qeveria qendrore vendosi një ndalimqarkullim të rreptë në të gjithë kryeqytetin deri të martën në mëngjes për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

Javët e fundit, shtimi i viktimave mes civilëve në operacionet anti-terroriste në Afganistan ka çuar në shqetësimet në rritje se kudo në Afganistan kjo po e minon mbështetjen popullore që gëzon Presidenti Karzai.//ii

XS
SM
MD
LG