Lidhje

KQZ kërkon përshpejtimin e zgjedhjes së anëtarëve nga partitë politike


Në Shqipëri Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i bëri sot sërish apel forcave politike që të shpejtojnë procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit si dhe të reformës zgjedhore.

Kryetari Klement Zguri tha se vonesat në kohë po vënë në vështirësi përgatitjet që Komisioni duhet të bëjë, gjë e cila sipas tij do të ndikojë edhe në cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Edhe komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka mbetur i bllokuar për shkak të kundërshtive mes pozitës dhe opozitës për çështjen e listës së zgjedhësve.

Kundërshtitë mes forcave politike kanë çuar sërish në ngërç procesin për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nga njëra anë ka mbetur pezull zgjedhja e tre anëtarëve të rinj të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve kur janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore të emërimit të tyre nga Presidenti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Parlamenti.

Nga ana tjetër komisioni i posaçëm parlamentar për reformën elektorale, i formuar pas shumë vështirësive ka ngecur në vend numëro, duke bërë që tre mbledhje radhazi të dështojnë. Në një situatë të tillë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka mbetur peng i këtyre zhvillimeve dhe nuk ka mundësi të veprojë për të nisur procedurat përgatitore.

Kryetari aktual Klement Zguri iu drejtua sot sërish me një thirrje faktorëve politik dhe institucioneve të ngarkuara për zgjedhjet e ardhshme. Sipas deklarimeve të Komisionit Qëndror zgjedhjet do të duhet të mbahen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër. Por kjo periudhë duket qartë se do të kapërcehet edhe sipas të gjitha gjasave ato do të mund të mbahen në pranverën e ardhshme. Megjithatë kryetari Zguri deklaroi sot se cdo ditë që kalon është kohë e humbur.

Ndërsa Komisioni mbetet në pritje të plotësimit të tij me tre anëtarë, e bllokuar ka mbetur edhe reforma zgjedhore. Edhe sot dështoi mbledhja e komisionit të posacëm parlamentar. Demokratët dhe socialistët nuk po bien dakort për listat e zgjedhësve, se cili regjistër do të përdoret për hartimin e listave.

Formula e komisionit nuk lejon marrjen e vendimeve nëse demokratët dhe socialistët nuk gjejnë konsensus të plotë për çdo çështje.

XS
SM
MD
LG