Lidhje

HRW: Sistemi i drejtësisë në Kosovë i dështuar megjithë praninë disa vjeçare të UNMIK-ut


Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch thekson sistemi penal i drejtësisë në Kosovë është i dështuar, megjithë 7 vjet të administratës ndërkombëtare atje. Human Rights Watch thotë se autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të zgjidhin problemet me policinë, gjykatat dhe ligjet. Kritikat bëhen në raportin e sotëm të Human Rights Watch për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Gjetjet e raportit janë përqëndruar në një analizë të përgjigjes së sistemit të drejtësisë ndaj dhunës së marsit të vitit 2004. “Nxjerja para drejtësisë e personave përgjegjës për krimet e së kaluarës nuk është në rend të ditës në Kosovë,” thotë Holly Cartner, Drejtoreshë e Zyrës për Evropën pranë organizatës Human Rights Watch. “Zgjidhja e statusit të Kosovës, pa përmirësuar sistemin e drejtësisë, do të dëmtonte të ardhmen e Kosovës,” thotë ajo.

Sipas raportit, 426 persona u akuzuan për dhunën etnike të marsit, shumica për krime të lehta si vjedhje. Rreth 30 persona humbën jetën gjatë dhunës. Human Rights Watch e shikon këtë dështim si rezultat i një numri faktorësh, ndër të cilët: përgatitja e pamjaftueshme e prokurorëve për reformat në sistemin e drejtësisë që u prezantuan 3 javë pas trazirave të marsit; Krijimi i një force speciale të policisë ndërkombëtare për të hetuar incidentet e marsit, e cila ishte e shkëputur nga procesi i përgjithshëm hetimor dhe dështoi në misionin e saj; Të meta në punën e policisë, përfshirë dobësi në bashkërendimin e punës ndërmjet policisë ndërkombëtare dhe kombëtare dhe në bashkëpunimin me prokurorët; Masa të dobëta mbrojtëse për dëshmitarët; dhe të meta në drejtimin dhe theksin që i vuri administrata e Kombeve të Bashkuara punës së gjyqësorit në Kosovë.

Raporti e cilëson përgjigjen e mangët të gjyqësorit ndaj dhunës së marsit 2004 si një ndër problemet më madhore me të cilat ndeshet sot Kosova: tolerancë të përhapur për krimin, veçanërisht në rastet kur ka dimensione politike apo etnike. Ky qëndrim, thekson në raportin e saj organizata Human Rights Watch, ka krijuar bindjen në të gjitha komunitetet në Kosovë, si shumicën ashtu edhe pakicat, se sistemi i drejtësisë penale nuk është i besueshëm dhe nuk i shërben popullit.

Raporti u bën thirrje forcave kryesore në Kosovë, OKB-së, OSBE-së policisë dhe autoriteteve të Kosovës, të marrin masa të menjëhershme për të ndrequr të metat në sistemin e drejtësisë. Këtu përfshihen: përmirësimi i mbikqyrjes së gjykatave, përgatitja e një plani pune për një forcë policore e cila të punojë drejtpërdrejt me hetuesit; rritja e bashkëpunimit ndërmjet policisë ndërkombëtare dhe kosovare me prokurorët dhe gjykatësit dhe krijimi i një sistemi më efektiv për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Raporti i bën gjithashtu thirrje Grupit të Kontaktit dhe Bashkimit Evropian të vënë theksin mbi përgjegjshmërinë në politikat e tyre në Kosovë, përfshirë trajtimin e një sistemi funksional të drejtësisë penale si një pjesë përbërëse e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës si dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme materiale për krijimin e një sistemi efektiv për strehimin dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. //rd//

XS
SM
MD
LG