Lidhje

Harxhi: Qëndrimi serb për statusin e Kosovës, një lloj dileme nga frika për ekzistencën e një shteti të dytë shqiptar


Zëvëndësministrja e Jashtme e Shqipërisë Edit Harxhi, mori pjesë në një takim dy-ditor të Paktit të Stabilitetit në Beograd. Në këtë kuadër, zonja Harxhi u takua edhe me zyrtarë të lartë serbë. Ajo dha një intervistë për programin televiziv “Ditari”.

Zëri i Amerikës: Zonja zëvendësministre, në këtë takim të Paktit të Stabilitetit, çfarë u diskutua lidhur me të ardhmen, apo siç është quajtur, mbi evolucionin e këtij pakti?

Edit Harxhi: Kuptohet, që pakti i stabilitetit është një iniciativë që lindi menjëherë pas luftës së Kosovës dhe thjesht, fjala Pakti i Stabilitetit nënkupton një lloj rehabilitimi edhe të vendeve të Evropës Juglindore. Në këtë kuadër, tashmë që janë bërë gati 7 vjet që nga krijimi i tij, është parashikuar që Paktit të Stabilitetit t’i jepet më tepër një konotacion, ai të ketë më tepër një lloj pronësie të vetën, ku vendet rajonale të drejtojnë vetë, të kenë një iniciativë rajonale të tyren. Dhe pikërisht kjo ishte edhe tema e konferencës sot, se në çfarë do të ndryshohet, apo do të shndërrohet pakti i stabilitetit, pikërisht se si do të ndryshojë dhe se si do të mund të futet në inicitaivën e SEC-it, që është iniciativa e vendeve të Evropës Juglindore.

Zëri i Amerikës: Në takim ju keni trajtuar edhe çështjen e Kosovës. Tirana zyrtare tashmë e ka shprehur qëndrimin e saj për të ardhmen e Kosovës, që është pavarësia. A ishte atje rasti për ta shprehur edhe një herë këtë qëndrim?

Edit Harxhi: Natyrisht, sepse siç e thashë, sepse Pakti i Stabilitetit është një iniciativë që ka lindur menjëherë pas luftës së Kosovës dhe unë shpreha gjithashtu qëndrimin e qeverisë shqiptare jo vetëm për angazhimin tonë për të ardhmen e Paktit të Stabilitetit dhe suskesin që ka patur ai në gjithë këto vite jo vetëm në rajon, por edhe në Shqipëri; shpreha gjithashtu pikëpamjen e Shqipërisë, duke e falenderuar paktin, që është gjithashtu edhe iniciativa e parë rajonale, që e ka trajtuar Kosovën si një entitet të veçantë, si një partnere të veçantë, duke hapur edhe një zyrë të veçantë në Kosovë, Zyrën e Paktit të Stabilitetit. Në këtë kuadër, unë trajtova edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, i cili tashmë dihet, është pa ekuivok, që është mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbrojtja e të drejtave të çdokujt për të jetuar i lirë, pa probleme të përkatësisë etnike, fetare, raciale, e të tjera; në të njëjtën kohë, shpreha qëndrimin se qeveria shqiptare, mbështet plotësisht misionin e Marti Ahtisarit, të bashkësisë ndërkombëtare, sikundër edhe mendojmë që mënyra e vetme për të siguruar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, në Evropën Juglindore, tashmë, është pavarësia e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Në shtyp sot është folur për një plan serb për Kosovën. Gjatë takimeve që keni patur me zyrtarët e lartë serbë, a ka ndonjë ndryshim në pikëpamjen e tyre për të ardhmen e Kosovës?

Edit Harxhi: Faktikisht, në takimin e sotëm morën pjesë Presidenti Tadiç dhe Ministri i Jashtëm Vuk Drashkoviç. Ky ishte një takim i nivelit të lartë, sepse në të morën pjesë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara dhe për herë të parë, mori pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, tashmë pas referendumit. Natyrisht, që qëndrimi i palës serbe në këtë takim ishte i pandryshuar nga ai më përpara. Ata duket që vazhdojne të hezitojnë përsa i përket statusit final dhe kanë dilemat e tyre në lidhje me zgjidhjen e statusit final. Pra, natyrisht, nuk janë në asnjë moment të të njëjtit mendim me mendimin që ndajme ne për të ardhmen e Ballkanit, rehabilitimin e tij dhe për të ardhmen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, çfarë mendimi dhanë ata për këto çështje?

Edit Harxhi: Mendimi i tyre për momentin, nuk ishte më tepër një propozim, por ishte më tepër një lloj dileme, frika që siç duket, ekziston tek ta për ekzistencën e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan; një tezë, për të cilën ne kemi folur dhe jemi shprehur se ne jemi kundër ndryshimit të kufijve; por natyrisht, që ne kemi thënë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mire dhe afatgjatë për paqen në Ballkan.

XS
SM
MD
LG