Lidhje

Presidenti Bush emëron sekretarin e ri të thesarit

  • Barry Wood

Presidenti Bush emëroi dje një bankier të respektuar të Uoll Stritit, Henri Pollson, për t’i zenë vendin zotit Xon Snou si Sekretar i Thesarit.

Henri Pollson është njëri nga financierët më të suksesshëm të Uoll Stritit. Që nga viti 1999, ai ka qenë president i firmës Goldman Sachs, kompania më e madhe e investimeve të bursës në Amerikë. 60-vjeçari Pollson ka mbaruar për biznes në Universitetet Dartmuth dhe Harvard, është specializuar në shkëmbimin valutor dhe ka qenë këshilltar në shumë blerje kompanish të mëdha. Vetëm për vitin e kaluar, fitimet e tij arrinin në 38 milion dollarë. Duke u bërë sekretar i thesarit ai po pranon një shkurtim drastik të pagëse sepse në Shtetet e Bashkuara një post i tillë paguhet më pak se 200 mijë dollarë në vit.

Traditionalisht, sekretari i thesarit përgjigjet për formulimin e politikës ekonomike. Gjatë viteve të para të administratës Bush, ky rol i kaloi Shtëpisë së Bardhë, ndryshim i cili e komplikoi punën e sekretarit të tij të parë të thesarit Pol O Nill. O Nill, ish president i Kompanisë së Aluminit Alkoa, i shprehte pikpamjet e tij shumë hapur dhe kjo i krijoi probleme deri sa u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2002. Pasardhësi i tij, ekzekutivi i kompanive hekurudhore, Xhon Snou, qendroi në post tre vjet por asnjëherë nuk fitoi mbështetjen e plotë të këshilltarëve të Presidentit Bush.

Ja ç’thotë Ethan Harris, ekspert i ekonomisë në firmën e investimet të bursës Lehman Brothers në Nju Jork.

"Sigurisht, detyra kryesore e Xhon Snou-t ishte të reklamonte politikat makroekonomike të administratës Bush. Nuk besoj se do të kemi ndonjë ndryshim thelbësor, ku sekretari i thesarit bëhet papritur motori kryesor i politikës ekonomike."

Polson, kandidatura e të cilit duhet të konfirmohet nga Senati, ka qenë vazhdimisht për forcimin e marrëdhënieve të biznesit me Kinën. Gjatë karrierës së tij, ai ka shkuar në Kinë 70 herë. Stivën Berrou, tregtar i bursës së shkëmbimit valutor të Londrës që punon për firmën Bear Stearns thotë se Polson ka shumë mundësi të mbështesë me forcë kursin e administratës Bush për rivlerësimin e monedhës kineze.

"Në pjesën më të madhe të kohës që Xhon Snou ka qenë në këtë post, dollari ka rënë. Mendoj se do të shohim një rënie të mëtejshme të dollarit. Por çështja qendron se në krahasim me cilat monedha duhet të bjerë dollari? Sigurisht, presioni i zotit Snou gjatë vitit të kaluar ka qenë veçanërisht mbi Kinën, për ta bërë atë më elastike ndaj monedhës së saj, gjë që do të thotë dobësim më i madh i dollarit."

Dhumë ekonomistë janë për një dollar më të dobët si mjet për uljen e deficitit gjigand buxhetor të Amerikës.

Duke ardhur në Uashington si sekretar i thesarit, zoti Polson po ndjek shembullin e financierit Robert Rubin, i cili ishte President i firmës Goldman Sachs në fillim të viteve 90. Rubin u vlerësua lart gjatë katër viteve që ishte sekretar i thesarit nën Presidentin Klinton.//ii

XS
SM
MD
LG