Lidhje

Seancë e pazakontë në Kongresin amerikan – ligvënësit kritikojnë ndërhyrjen e FBI-së

  • Dan Robonson

Dëshmitarë dhe ligjvënës në një seancë të kongresit amerikan kritikuan ashpër një bastisje të FBI-së në zyrën e një anëtari të kongresit, duke e quajtur këtë një shkelje të rrezikshme të parimeve kushtetuese.

Njëri pas tjetrit, dëshmitarët e quajtën bastisjen e FBI-së në zyrën e anëtarit të kongresit William Jefferson një shkelje të paparë të mbrojtjes që kushtetuta u siguron anëtarëve të kongresit ndaj ndërhyrjeve të ekzekutivit.

Gjatë kontrollit që zgjati 18 orë dhe që u bë me urdhër të gjykatës, FBI-ja mblodhi dokumenta nga dosjet dhe nga kompjuteri i zyrës së ligjvënësit demokrat të Luizianës, i cili ishte objekt i një hetimi federal për marrje rryshfeti.

Kjo do të thotë se hetuesit federalë kishin në duar jo vetëm materiale që mund të kishin lidhje me hetimet e tyre rreth zotit Jefferson, por edhe materiale të tjera të lidhura me aktivitetet e tij si kongresmen.

Kreu i komisionit juridik të dhomës, republikani James Sensenbrenner tha se çështjet e ngritura nga një kontroll i tillë e kapërcejnë kufirin e një anëtari të Kongresit.

“Këtu ngrihet një çështje kushtetuese kur komunikimi mes anëtarëve të kongresit dhe votuesve të tyre, dokumenta që nuk kanë të bëjnë fare me asnjë krim, konfiskohen nga ekzekutivi,” tha ai.

Në përgatitjen e kërkesës që përbënte bazën e urdhërit të gjykatës për kontroll, Departamenti i Drejtësisë thoshte se kishte vepruar kështu vetëm e vetëm pasi të gjitha mënyrat e tjera ishin provuar, sidomos një kërkesë e gjykatës për ta detyruar Jeffersonin të dorëzonte dokumentat.

Eksperti i së drejtës kushtetuese dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Xhorxh Uashington, Jonathan Turley, e quan bastisjen e zyrës së Jeffersonit një sfidë që ka lëkundur traditat e ndarjes së pushteteve.

“Bastisja e zyrës së Jeffersonit, përfaqëson një fyerje të thellë ndaj një dege të barabartë të qeverisë. Në historinë e këtij vendi, asnjë president nuk ka urdhëruar apo lejuar kontrollin e një anëtari të kongresit.”

Turley u bën thirrje ligjvënësve të reagojnë fuqishëm dhe shpejt me një legjislacion që të mos lejojë përsëritjen e këtij incidenti.

Ndërkohë që shqyrtojnë reagimet ndaj bastisjes së FBI-së, ligjvënësit nuk po kërkojnë që kongresi të ketë imunitet nga hetimet e forcave të rendit. Por ata po akuzojnë qeverinë se nuk ka përfillur procedurat e duhura.

Presidenti Bush urdhëroi javën e kaluar që materialet e konfiskuara nga FBI-ja në zyrën e anëtarit të kongresit Jefferson të kyçen për 45 ditë, derisa të qetësohet gjendja ndërkohë që zyrtarët e kongresit trajtojnë çështjet e ngritura nga kontrolli.

Udhëheqësit e kongresit kanë parashikuar se çështjet janë kaq të mëdha sa duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.

Dëshmitarët e mbështetën këtë dhe anëtari i kongresit Sensenbrenner thotë se ai do t’i telefonojë prokurorit të përgjithshëm Alberto Gonzales dhe zyrtarëve të tjerë për të dëshmuar në seancat e ardhëshme.

Megjithëse seanca u zhvillua gjatë një pushimi një-javor të kongresit, dhe nuk u thirrën përfaqësues të administratës për të dëshmuar, është e qartë se kjo çështje do të mbetet në qendër të vëmendjes së kongresit gjatë javëve të ardhshme.//ii

XS
SM
MD
LG