Lidhje

Hyseni: Takimi i Vjenës, pa asnjë pikë të përbashkët mes palëve


Në Vjenë u zhvillua dje raundi i gjashtë i bisedimeve Prishtine-Beograd që u përqëndrua në çështjet ekonomike dhe në marrëdhëniet financiare të Kosovës me Serbinë.

Negociatori serb, Leon Kojen tha se pati pak përparim për çështjen e privatizimit dhe të pronësisë, të cilat ishin temat e bisedimeve gjashtëorëshe. Ai tha gjithashtu se ka pak shpresë për një marrëveshje në të ardhmen.

Delegacionin e Kosovës në bisedime e kryesoi Skënder Hyseni. Ai i tha Zërit të Amerikës se faji për bllokimin e procesit i mbetet Serbisë:

"Në thelb, çdo njeri mund të shohë se e vetmja arësye që Beogradi erdhi në këto bisedime ishte për të penguar procesin e privatizimit në Kosovë, gjë që është e papranueshme si për ne ashtu edhe me sa duket për komunitetin ndërkombëtar."

Stefan Lehne, diplomat austriak dhe zyrtari i Bashkimit Evropian që merret me çështjet ekonomike në Kosovë, thotë se serbët duan që privatizimi të ndalet dhe të ristrukturohet.

Sipas palës serbe, shitja e ndërmarrjeve shtetërore nën mbikqyrjen e OKB-së është e paligjshme dhe ka bërë që prona me vlerë të madhe të shiten me çmime tepër të ulta.

Privatizimi në Kosovë, i cili është karakterizuar nga rryshfete dhe debate rreth pronësisë, është pjesë e ristrukturimit ekonomik të drejtuar nga UNMIK-u. Deri tani, vetëm pak hotele dhe kompani të mesme kanë kaluar në administrimin privat. Lehne thotë se vendosja e kushteve të privatizimit nuk është pjesë e bisedimeve për statusin.

"Kjo nuk është pjesë e mandatit të kryenegociatorit Martti Ahtisaari, pra rinegocimi me themel i legjislacionit ekonomik që ka zbatuar Kosova në shtatë vitet e kaluara. Edhe Bashkimi Evropian nuk ka mandat për të ndërhyrë në këto procese tani për tani."

Gjashtë raundet e bisedimeve që nga muaji shkurt nuk kanë bërë shumë për të arrritur pika të përbashkëta midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë. Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1999, kur fushata e bombardimeve të NATO-s në mbështetje të rebelimit të shqiptarëve bëri që trupat serbe të largohen nga Kosova.

Shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të Kosovës kërkojnë pavarësia ndërsa Serbia ofron vetëm autonomi për këtë territor që ajo e shikon si djepin e saj fetar. Kombet e Bashkuara shpresojnë që statusi i Kosovës të jetë zgjidhur deri në fund të vitit.

Kryenegociatori Marti Ahtisaari thotë se shpreson që deri më 1 korrik jetë kaluar në fazën e bisedimeve për statusin.

Në programin televiziv “Ditari”, Zëri i Amerikës intervistoi drejtpërdrejt nga Vjena Kryetarin e Delegacionit të Kosovës ne bisedime, Skënder Hyseni.

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, a mund të na konfirmoni se cilat çështje u prekën në bisedime?

Skënder Hyseni: Në Vjenë, me delegacionin nga Serbia, kemi biseduar për çështjet ekonomike dhe të suksesionit, e në këtë kuadër, më në detaje, kemi prekur temat e borxhit të jashtëm dhe temat e pronës. Përsa i përket borxhit të jashtëm, Kosova në këtë takim ka ardhë me një qëndrim shumë të qartë. Ky qëndrim është pritur mirë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, nga zyra e OKB-së për statusin e Kosovës. Ky qëndrim është se Kosova i pranon të gjitha obligimet që dalin, nga pjesa e borxhit të jashtëm, të cilin Kosova do ta marrë mbi vete, sipas identifikimit që do t’i bëhet një për një. Domethënë, Kosova nuk ka asnjë problem, që pjesën e vetë të obligimeve ta marrë mbi vete, pasi të ketë saktësuar çdo gjë rreth borxhit. E gjitha kjo do të mbahet mbi bazën e parimit të përfituesit të fundit, pasi ai është borxh i identifikueshëm. Çështja tjetër që është shtruar në gjerësi, është ajo e pronës, përkatësiht në këtë kuadër, e procesit të privatizimit, që në Kosovë ka filluar vite më parë, sipas parimeve që i ka vënë bashkësia ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, në raundet e mëparshme të bisedimeve është arritur pak përparim. A gjetën këtë herë palët pika të përbashkëta?

Skënder Hyseni: Jo, nuk kishte shumë pika të përbashkëta, për të thënë që nuk kishte fare pika të përbashkëta, për shkak të obstruksionit që i bëhet të gjithë këtij procesi nga ana e Beogradit. Ta zemë, po e patëm fjalën tek prona dhe privatizimi, shihej qartazi se Beogradi kishte ardhur sot në Vjenë me të njëjtin qëllim, që të bllokonte procesin e privatizimit në Kosovë. Ne e bëmë të qartë, dhe natyrisht, me ne janë pajtuar edhe ndërmjetësit ndërkombëtarë, por edhe përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare në Kosovë, të cilët ishin të pranishëm në takimin e sotëm, se privatizimi është në pronësi të plotë të autoriteteve dhe të institucioneve të Kosovës; ne kemi ndërmend që të vazhdojmë me privatizimin e pasunisë shoqërore dhe këtë process do ta rrumbullakësojmë deri në fund të këtij viti. Domethënë, përkundër vullnetit të mirë nga pala kosovare, nga delegacioni i Kosovës, por edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, te pala e Beogradit shihej pak gadishmëri për të zgjidhur këto probleme. Ne po ashtu, e bëmë të qartë sot në takim, si delegacion i Kosovës, se në kuadër të suksessionit të shtetit, Kosova do ta pranojë, do ta aprovojë plotësisht, marrëveshjen për suksesion, që ish-njësitë jugosllave kanë arritur në Vjenë në vitin 2001. Kjo njihet si marrëveshja e Vjenës për suksesin dhe ne e kemi bërë të qartë, që Kosova dhe institucionet e saj do ta pranojnë këtë projekmarrëveshje në procesin e suksesionit.

XS
SM
MD
LG