Lidhje

Hetime mbi masakrën në Haditha


Presidenti Bush, zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë dhe qeveria e re e Irakut kanë dhënë urdhër për hetime mbi njoftimet për një masakër që thuhet se marinsat amerikanë kanë kryer në nëntor 2005 ndaj civilëve irakianë. Nëse hetimet nxjerrin në pah përpjekje për ta fshehur këtë incident, lidhur me të mund të ngrihen akuza edhe ndaj disa zyrtarëve ushtarakë përveç marinsave të përfshirë në vrasje.

Pretendimet e ngritura flasin për të paktën 15 e ndoshta deri në 24 irakianë të pafajshëm të vrarë në Haditha nga disa marinsa të zemëruar pas vrasjes së një bashkëluftëtari të tyre, Miguel Terrazas, i cili gjeti vdekjen nga një sulm i kryengritësve ndaj autokolonës së marinës.

Ndër viktimat irakiane thuhet të ketë edhe fëmijë, si dhe gra që ishin përpjekur të mbronin fëmijët. 12-vjeçarja Safa Yunis shpëtoi gjallë pasi bëri sikur ishte e vrarë: "Amerikanët trokitën në derë. Babai shkoi ta hapte derën. Ata e qëlluan për vdekje që pas derës, dhe e qëlluan përsëri pasi hapën derën", shpjegon 12 vjeçarja.

Presidenti Bush thotë se ai dhe i gjithë Korpusi i Marinës janë tronditur nga këto njoftime: "Korpusi i Marinës ka në radhët e tij plot vajza dhe djem që janë njerëz të ndershëm dhe i kuptojnë rregullat e luftës. Nëse këto akuza janë të vërteta, Korpusi i Marinës do të punojë për t’u siguruar që kjo kulturë krenare të forcohet dhe që ata që shkelën ligjin, nëse ndodhi një gjë e tillë, të dënohen", tha presidenti Bush.

Kryeministri irakian Nouri al-Maliki thotë se po humbet durimin me ato që i cilëson si “justifikime” amerikane për vrasjet në Haditha. Zoti Maliki i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ka gjithashtu në plan të zhvillojë një hetim irakian lidhur me çështjen.

Analisti Anthony Cordesman thotë se një hetim i tillë është i rëndësishëm: "Kjo qeveri duhet të jetë në gjendje të qendrojë mbi këmbët e veta. Ajo duhet të tregojë se ka sovranitet të vërtetë. Nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë gabime, qeveria duhet të jetë në gjendje t’i kritikojë ato hapur. Nëse amerikanët bëjnë gabime, ne duhet të tregojmë se këta ushtarë do të vihen para përgjegjësisë", thotë analisti .

Shefi i Shtatmadhorisë, Gjenerali Peter Pace, thotë se kanë filluar dy procese hetimesh ushtarake lidhur me vrasjet: "Njëri prej tyre është të zbulohet se çfarë ndodhi. Tjetri është të zbulohet përse u desh kaq kohë për të hapur hetimet mbi incidentin".

Nuk është e qartë se kur mësuan zyrtarë të lartë ushtarakë për këtë incident, apo se çfarë bënë në përgjigje të njoftimit. Nëse hetimet tregojnë se zyrtarë të lartë kishin dieni por nuk u përpoqën të vënë në vend drejtësinë, ata zyrtarë mund të gjenden gjithashtu përballë akuzave.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Tony Snow thotë se Presidenti Bush mësoi për herë të parë për këto pretendime në muajin shkurt. //rd//

XS
SM
MD
LG