Lidhje

Bush: Është në duart e Iranit të pezullojë veprimtarinë bërthamore dhe të pranojë ofertën amerikane për bisedime


Presidenti Bush thotë se është në duart e Iranit për ta pezulluar veprimtarinë bërthamore dhe për ta pranuar ofertën e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar bisedime mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Presidenti u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se në se Irani hedh poshtë ofertën e Shteteve të Bashkuara, bota do të ndërmarrë veprime, nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nderkohe, fuqitë botërore arritën marrëveshje për një paketë stimujsh dhe masash ndëshkimore që do t’i paraqiten Iranit, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me programin e tij bërthamor.

Sekretarja e jashtëme britanike, Margaret Beckett e shpalli marrëveshjen dje në Vjenë pas një takimi ku morën pjesë zyrtarë nga Franca, Britania, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina si dhe Gjermania.

Zonja Becket tha se paketa do t’i sjellë përfitime të mëdha Iranit. Ajo tha se propozimet, të cilat do të kenë një ndikim afatgjatë, po u paraqiten tani iranianëve dhe se hapa të tjerë do të ndërmerren përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëse Irani nuk bie dakord të angazhohet në bisedime.

Ky zhvillim ndodh një ditë pas ofertës së Shteteve të Bashkuara për t’ju bashkuar bisedimeve të Bashkimit Evropian me Iranin nëse ai bie dakord të pezullojë pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet e ripërpunimit të tij.

Ministri i jashtëm iranian, Manuker Motaki i hodhi poshtë kushtet për bisedime, duke thënë se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.//ii

XS
SM
MD
LG