Lidhje

Ekspertë amerikanë analizojnë angazhimin ndërkombëtar në Ballkan në shekullin e 21-të


Që pas sulmeve terroriste të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, në qendër të shqetësimeve të Uashingtoni dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar ka qenë lufta kundër terrorit. Shtetet e Bashkuara janë vënë në krye të këtyre përpjekjeve, duke dislokuar numrin më të madh të forcave e duke pakësuar praninë ushtarake në pjesë të tjera të botës si për shembull në Ballkan. Disa ekspertë në Washington analizuan angazhimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, e veçanërisht për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Bob Hand, këshilltari i Komisionit të Helsinkit i Kongresit amerikan është i kënaqur me angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, por thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten të bëjnë kompromise.

“Tani për tani, komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar në bisedime. Në fund të fundit, do të varet nga Prishtina dhe Beogradi që të arrijnë një marrëveshje, megjithëse të dyja palët e pranojnë se angazhimi jo vetëm i Evropës, por edhe Shteteve të Bashkuara, është i rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, angazhimi i tepëruar i komunitetit ndërkombëtar mund të çojë në krijimin e pengesave. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë t’i nxisë të dyja palët që ato të jenë të përgatitura të bëjnë kompromiset e duhura për të arritur një marrëveshje mbi statusin e Kosovës.”

Por analisti i njohur i çështjeve ballkanike, Obrad Kesiç, mendon se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të angazhohet shumë më tepër në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë pjesë e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht për vetë faktin që Washingtoni nuk është gati të mbajë trupa në rajon për një kohë të gjatë. Dhe kjo e vë Washingtonin në pozitë të vështirë, sepse është lehtë të mbash një qëndrim të caktuar rreth çështjeve të ndryshme, në se nuk rrezikon asgjë në teren. Dhe kjo krijon problem mes Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve, sepse këta të fundit do të duhet të angazhojnë trupa për të bërë të mundur qëndrueshmërinë dhe paqen në Kosovë.”

Ndërkohë, analisti Daniel Server, pranë Institutit Amerikan të Paqes thotë se komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara janë më se të angazhuar në Ballkan, por ai e vë theksin edhe tek angazhimi politik.

“Gati të gjithë trupat amerikane janë tërhequr nga Bosnja, pa vështirësi serioze, dhe Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar angazhimin politik për shembull në bisedimet mbi kushtetutën. Në Kosovë, trupat ishin të nevojshme në një moment të caktuar, por gjërat kanë ndryshuar, e veçanërisht që kur në Beograd erdhi një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike. Bashkimi Evropian po luan tani një rol më të madh në Ballkan në Bosnje e në Maqedoni e kjo do të ndodhë edhe në Kosovë.”

Zoti Serwer thotë se trupat amerikane janë të nevojshme në Kosovë deri sa të përcaktohet statusi i saj. Pas përcaktimit të statusit, thotë si, duhet pritur një pakësim i ndjeshëm i trupave.

Profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington, Stivën Majër, thotë se që prej ardhjes në pushtet, administrata e presidentit Bush është shprehur qartë se synon t’i tërheqë trupat nga Ballkani, dhe të mos angazhohet në atë rajon as në aspektin diplomatik e as atë politik.

“Angazhimi amerikan në Ballkan ishte diçka, që u ndërmor nga administrata e presidentit Klinton, dhe jo nga administrata e presidentit Bush. Duke u nisur nga këndvështrimi i kësaj administrate, ajo përballet me probleme shumë më të mëdha si Iraku, Afganistani, lufta globale kundër terrorizmit dhe Ballkani përbën çështje anësore. Sapo të zgjidhet çështja e Kosovës, dhe nuk mendoj se do të ndodhë këtë vit, angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan do të pakësohet ndjeshëm.”

Ndërsa analistët dhe ekspertët shprehin mendime të ndryshme për sa i përket angazhimit në të ardhmen të komunitetit ndërkombëtar dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, një gjë është më se e qartë: Statusi i Kosovës është diçka që duhet zgjidhur, më mirë herët se sa vonë, dhe kjo nuk do të arrihet pa angazhimin serioz të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG