Lidhje

Filmi i ri “Break up” sjell në ekran humorin e aktorëve Xhenifer Aniston dhe Vins Von


Titulli i filmit të ri “The Break Up”, “Ndarja” mund të duket ironik duke pasur parasysh ndarjen e aktores kryesore Xhenifer Aniston nga Brad Pit, por në një kthesë ngjarjesh të denjë për Hollivudin, ajo duket se ka gjetur dashurinë gjatë xhirimeve kur filloi marrëdhënia e saj me aktorin Vins Vaughn. Ndërkohë një regjisore britanike duket se i ka hyrë rrugës së suksesit me filmin e saj të parë me metrazh të gjatë që u vlerësua në Kanë, ndërsa këngëtari Riki Martin ngre në këmbë publikun e Beirutit në koncertin e tij të parë në Lindjen e Mesme.

“The Break-up” është një komedi e re e regjisorit Pejton Rid, ku aktorët Vins Von dhe Xhenifer Aniston interpretojnë në rolet kryesore. Dy protagonistët janë të dashuruar dhe jetojnë së bashku, por kur ndahen dhe fillojnë grindjet për apartamentin, fillon edhe humori. Duket se titulli i filmit që përkthehet “Ndarja” i përshtatet aktores e cila është ndarë me aktorin Brad Pit.

“Në fillim kur pashë skenarin mendova se po bënin shaka, nga titulli, por pastaj kur e lexova m’u duk vërtet i shkruar shumë mirë, i mprehtë, me humor dhe realist”, thotë Aniston.

Ashtu siç ndodhi vjet me aktorët Brad Pit dhe Anxhelina Xholi në filmin “Mr. And Mrs. Smith”, vëmendja që i është kushtuar filmit shkon thuajse paralelisht me atë që i është kushtuar protagonistëve të tij. Mesa duket Vins Von dhe Xhenifer Aniston janë çift.

“Është menjëherë e kuptueshme nëse krijohet një tërheqje dhe ne ishim me fat. Unë e kuptova menjëherë kur filluam të improvizonim dhe të interpretonim së bashku që merreshim vesh shumë mirë”, thotë aktorja.

Von është edhe një nga skenaristët dhe producentët e filmit “The break-up” që fillon të shfaqet të premten në kinematë amerikane.

Filmi britanik “Red Road” nderohet në festivalin e Kanës

Filmi britanik “Red Road”, Rruga e kuqe, fitoi një çmim të posaçëm në Festivalin e Kanës. Është filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisores Andrea Arnold dhe u xhirua me një buxhet të kufizuar.

Red Road është pjesa e parë e një projekti të quajtur “Advanced Party”, sipas së cilit duhet të krijohen tre skenarë të ndryshëm me të njëjtët protagonistë. Deri tani është krijuar vetëm “Red Road” i cili tregoi se Andrea Arnold mund të jetë një nga regjisoret më interesante dhe premtues britanikë vitet e fundit.

Në qendër të filmit është Xhuli e interpretuar nga Kejt Diki, të cilën puna si operatore e një televizioni e çon në disa nga pjesët më të zymta të Britanisë, gjë që e bën të jetojë në një farë mënyre e izoluar nga shoqëria.

Xhuli takohet me një burrë nga e kaluara e saj, i sapoliruar nga burgu, Clajd. Filmi është i mbushur me mister, por për ta zbuluar audiencës i duhet të presë deri kur filmi të dalë në kinema në tetor në Britani.

Riki Martin ngre në këmbë Beirutin

Këngëtari i muzikës latine Riki Martin i ngriti në këmbë turmat me koncertin e tij në Beirut. Admiruesit lëshuan brohorima të forta kur këngëtari porto-rikan doli në skenën e koncertit të tij të parë në Lindjen e Mesme. 35 vjeçari interpretoi shumicën e këngëve të tij më të famshme, si edhe disa këngë të albumit të ri Life. Admiruesit kishin mbërritur disa orë para fillimit të koncertit dhe çmimi i biletave arrinte deri në 150 dollarë.

XS
SM
MD
LG