Lidhje

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci zhvilluan zgjedhjet për pushtetin komunal


Sot në tri komunat me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, u mbajtën zgjedhjet për pushtetin komunal, të dytat me radhë që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në këtë rajon në maj të vitit 2001. Zgjedhjet u vëzhguan nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë OSBE-në.

Në Preshevë u votua vetëm për prefektin e qytetit, ndërsa në Bujanoc dhe Medvegjë zgjedhjet u mbajten për deputetët e Kuvendeve komunale dhe për prefektët e qyteteve.

Në Preshevë ku shqiptarët përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë, për postin e prefektit kandiduan Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike Shqiptare, dhe Skënder Destani nga Bashkimi Demokratik i Luginës, ndërkaq, Partia Për Veprim Demokratik dhe shefi i saj Riza Halimi i bojkotuan këto zgjedhje në shenjë mospajtimi me mënyrën e organizimit të tyre.

Zoti Halimi i cili për 12 vjet me radhë ishte prefekt i Preshevës, është shkarkuar vitin e kaluar në një referendum që është organizuar në këtë komunë.

Në komunën e Medvegjës për postin e prefektit konkurruan pesë pjesëtarë të komunitetit serb dhe një shqiptar, ndërsa për postet e deputetëve kandidatët e tyre i paraqitën 12 subjekte politike.

Lufta më e ashpër pritej të zhvillohej në Bujanoc ku për postin e prefektit kandidonin dy shqiptarë dhe dy serbë. Prefekti i deritashëm i Bujanocit Nagip Arifi u përball me Jonuz Musliun, ish shef i krahut politik të kryengritësve shqiptarë që luftuan për 16 muaj me forcat serbe në përpjekje për të siguruar më shumë të drejta për shqiptarët në këtë rajon.

Aktualisht në Luginën e Preshevës veprojnë gjashtë parti politike shqiptare, që nga vëzhguesit vlerësohet si një numër tepër i madh për një popullsi prej 100 mijë banorësh.

Zgjedhjet e së dielës ishin të dytat me radhë që nga konflikti i armatosur në Luginën e Preshevës, i cili përfundoi në maj të vitit 2001 me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Zgjedhjet u vëzhguan nga organizata vendore dhe ndërkombëtare përfshirë edhe OSBE-në. //rd//

XS
SM
MD
LG