Lidhje

Zbulimet në Maçu Piçu dhe debati mbi pronësinë e objekteve arkeologjike të zbuluara dekada më parë


Gati një shekull më parë, Hiram Bingham, profesor historie në universitetin Yale në Shtetet e Bashkuara, bëri një zbulim të madh arkeologjik, kur udhërëfyesi i tij peruan e çoi atë në rrënojat e qytetit të lashtë inkas Machu Picchu. Për profesorin Bingham kjo shënoi kulmin e karrierës së tij akademike. Për universitetin Yale dhe Perunë, zbulimi çoi në një mosmarrëveshje që po zgjat prej dekadash.

Nga viti 1911 deri më 1915, Hiram Bingham udhëhoqi tre ekspedita në Machu Picchu, në Andet e Perusë. Abigail Bingham Endicott, tregon se gjyshi i saj ishte një aventurier i vërtetë: “Ai ishte njeri i mrekullueshëm, me një prani shumë të përzemërt.”

Disa mendojnë se Bingham, me shpritin e aventurierit, ishte frymëzim për arkeologun e serialit Indiana Jones. Gjatë ekspeditave në Machu Picchu, Bingham zbuloi dhe dërgoi në Universitetin Yale, rreth 5 mijë objekte të kulturës inkase, për t’u ekspozuar dhe për t’u studiuar më tej në muzeumin Peabody të universitetit. Por pikërisht këtu filluan edhe mosmarrëveshjet. Qeveria e Perusë thotë se ka një marrëveshje me shkrim nga Bingham që universiteti Yale duhet t’i kthejë objektet. Peruja thotë se vetëm gjysma janë kthyer, ndërsa universiteti thotë se gjithë objektet që ishin marrë hua janë kthyer.

Me kalimin e viteve, ka lindur një çëshjtje tjetër: cili është pronari i objekteve? Peruja thotë se është ajo dhe vitin e kaluar kërcënoi ta hidhte universitetin në gjyq. Pjesërisht, mosmarrëveshja e ka origjinën tek historiani Bingham, i cili mund të mos ketë patur njohuri për procedurat e duhura të katalogimit dhe lëvizjes së objekteve arkeologjike, thotë profesorja e drejtësisë e Universitetit Amerikan, Christine Farley. “Bingham nuk ishte në të vërtetë arkeolog. Ai ishte hitorian dhe i mungonte kualifikimi i përshtatshëm si arkeolog.” As Peruja, as universiteti Yale nuk pranojnë të bëjnë komente për këtë. Por organizata National Geographic, e cila sponsorizoi ekspeditat e universitretit Yale në Peru, thotë se ligjet e kohës kur u lëvizën objektet arkeologjike, favorizojnë Perunë. Terry Garcia është nënpresident i organizatës National Geographic.“Ligjet e Perusë në atë kohë ishin të qarta. Çdo objekt i gjetur në Machu Picchu, ishte pronë e qeverisë peruane dhe e popullit peruan”, thotë zoti Garcia. Por Yale i interpreton ligjet ndryshe. “Asnjë nga ligjet e Perusë në kohën e gërmimeve ose të ekspeditave nuk parashikonte që objektet e gjetura në Peru të ishin pronë e Perusë. Do me thënë kushdo që gjente diça, mund ta mbante si pronë të tijën”, thotë Kristi Farli në Universitetin Amerikan.

Kohët e fundit universiteti Yale, tha se do të kthente një pjesë të objekteve dhe do të ndihmonte Perunë t’i ekspozonte ato në një muzeum të ri. Por Peruja e hodhi poshtë ofertën.“Parimi themelor ku po mbështet Peruja dhe kushti për të cilin ata theksojnë se nuk do të bëjnë lëshim, është që Yale të pranojë pronësinë e Perusë”, thotë zoti Garcia.

Debatet midis vendeve dhe muzeumeve për objekte të ndryshme kanë ekzistuar prej vitesh dhe duket se opinioni anon nga vendet. Kohët e fundit, Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork, ra dakort t’i kthejë Italisë vazon e Eufronios dhe Muzeu Britanik në Londër është nën trysni për t’i kthyer Greqisë skulpturën e Parthenonit. Në rastin e objekteve të Machu Picchut, si Yale edhe Peruja nuk tërhiqen. Mbesa e historianit po bën thirrje për kompromis: “Në se do të kisha mundësi t’u drejtohesha palëve të përfshira në debat, do t’u kërkojë që të mos harrojnë cili është synimi: që kjo pasuri të bëhet e njohur, jo thjesht objektet në fjalë, por gjithë zona Machu Picchu.”

Machu Picchu është një zonë e mrekullueshme, me një të kaluar të zhytur në mister që pret të zbulohet. //rd//

XS
SM
MD
LG