Lidhje

Kryeministri Berisha deklaron se lufta kundër korrupsionit është vetëm në fillimet e saj


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha tha sot se lufta kundër korrupsionit është vetëm në fillimet e veta. Pak ditë pas arrestimeve të disa zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive, kreu i qeverisë u shpreh se mafia e tokave është më e rrezikshmja. Gjatë mbledhje së grupit parlamentar të partisë së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi të funskionarve shtetërorë.

Arrestimet e kryera javën e shkuar të cilat çuan në pranga disa zyrtarë të akuzuar për korrupsion duket se do të jenë vetëm të parat të një zinxhiri të gjatë. Kryetari i Komunës së Golemit dhe ish drejtori i Turizmit në Ministrinë e Turizmit u kapën pasi ishin përfshirë në afera që kishin të bënin me abuzime me tokat në zonën e bregdetit, ndërsa drejtori i Tatimeve të Vlorës u ndalua pasi kërkonte përqindje sipërmarrësve për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Kryeministri Sali Berisha tha sot se beteja e nisur është vetëm në fillim duke e cilësuar korrupsionin me trojet dhe tokat si një nga mafiet më të rrezikshme: "Mafia e tokës është mafia më e rrezikshme në Ballkan, është një amalgam tmerrësisht e egër që është ngritur mbi një mal fallsifikimesh e dokumentash dhe një dhunim masiv ligjesh. Sado e vështirë të na duket ne duhet të japim përgjigje, për asnjë moment nuk duhet të cedojmë. Jo. Ne jemi, vetëm në fillimet e kësaj beteje", deklaroi Berisha.

Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve që të marin pjesë në çrrënjosjen e këtij fenomeni duke denoncuar çdo rast abuzimi nga ana e funksionarëve të administratës. Asnjë qytetarë nuk duhet të hezitojë pa u bërë pjesë aktive e kësaj beteje, pa mbrojtur me forcën e ligjit dhe në përputhje me ligjin interesin e tij, u shpreh kryeministri.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të kryetarit të Partisë Socialiste, se gjithshka po bëhet për demagogji, zoti Berisha tha se ata le të bëjnë avokatinë e korrupsionit, kurse qeveria do të bëjë luftën kundër tij, një luftë që siç saktësoi ai do të jetë e paanshme.

Por për kryetarin socialist Edi Rama, prangat që dalin ne televizorë nuk e mbulojnë dot paaftësinë sipas tij të kryeministrit për të qeverisur, dhe as varfërin dhe papunësinë që thellohet. //rd//

XS
SM
MD
LG