Lidhje

USAID: Në Shqipëri mjekët, gjyqtarët dhe deputetët, më të korruptuarit

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri mjekët, gjyqtarët dhe deputetët konsiderohen si ndër më të korruptuarit ndërkohë që besimi i qytetarëve në institucionet publike vazhdon të mbetet mjaft i ulët. Këto janë përfundimet e një sondazhi të kryer pas disa vrojtimesh me kategori të ndryshme në të gjithë vendin, pjesë e një studimi të financuar nga USAID dhe i mbështetur nga ekspertë amerikanë. Po ashtu në bazë të këtij sondazhi sistemi i drejtësisë vazhdon të shihet si më problematiku për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.

Në Tiranë u bënë sot publike rezultatet e sondazhit "Korrupsioni në Shqipëri", një vrojtim i mbështetur në intervistat e mbi tre mijë shqiptarëve në 10 qytetet të vendit, të cilët pëfaqësojnë kategori dhe nivele të ndryshme shoqërore.

Sondazhi vlerësohte të jetë më i madhi i këtij lloji i kryer ndonjëherë në vend. Ai është realizuar në periudhën dhjetor 2005 - janar 2006. Ai praktikisht ka rikonfirmuar edhe një herë shqetësimin e madh dhe perceptimin që qytetarët kanë për shtrirjen e fenomenit të korrupsionit.

Sipas përgjigjeve të dhëna, doganierët, punonjësit e tatimeve, mjekët, gjyqtarët dhe deputetët janë vlerësuar si kategoritë më të korruptuara, ndërsa Presidenti i Republikës, drejtuesit fetarë dhe ushtarakët vlerësohen si figurat më të ndershme. Ndonëse ka patur një përmirësim krahasuar me vitin 2004 për deputetët, ministrat e gjyqtarët, sërish perceptimi për ta mbetet në nivele të ulta.

Në sytë e qytetarëve shqiptarë, korrupsioni i lartë ka çuar edhe në besimin e ulët të tyre te institucionet, ku sindikatat dhe partitë politike janë në vend të fundit për nivelin e besimit që ato ngjallin. Sipas sondazhit, megjithatë, në vitin 2005-2006 ka patur një rritje të besimit në sistemin politik megjithatë ajo është prapë nën mesin e shkallës së vlerësimit.

Por sistemi i drejtësisë, veçanërisht gjyqësori, nuk ushqejnë besim te publiku, se mund të ndëshkojnë kriminelët. Më pak se gjysma e viktimave e raportojnë krimin. Arsyeja kryesore më e shpeshtë e përmendur nga ata që nuk raportojnë, është se nuk ja vlen.

Praninë e ndjeshme të korrupsionit në gjykata e pranojnë edhe vetë gjyqtarët e intervistuar, ku më shumë se gjysma e tyre mendojnë se ky fenomen është një problem serioz dhe se avokatët i takojnë ata jashtë gjykatës për të ndikuar tek vendimet e tyre.

Rryshfeti, ose paratë që shqiptarët detyrohen të paguajnë për të siguruar shërbimet nga administrata, vazhdojnë të jenë një fenomen shqetësues dhe i përhapur. Përqindja e atyre që thonë se iu është dashur të paguajnë nën dorë për mjekë, apo infermierë është shumë më e madhe se sa për kategoritë e tjera.

Në krahasim me vitin 2004, në vitin 2005 është vënë re një përmirësim i dukshëm në administratën publike. Megjithatë, vetë nëpunësit civilë të intervistuar, pranojnë se që dikush të marrë një kontratë prokurimi, është i detyruar të paguajë përgjithësisht 10 përqind të vlerës së kontratës, por edhe më shumë.

Pagesa e rryshfeteve ndaj nëpunësve publikë duket se është më e shpeshtë në sektorin publik dhe ndërmjet biznesmenëve vendas, ndërkohë që perceptimi për rryshfete nga investitorët e huaj dhe organiztata ndërkombëtare është shumë më i ulët.

Duke folur në prezantimin e përfundimeve të Sondazhit, ambasadorja amerikane në Tiranë Marsi Ris, tha mbështetja e publikut për veprim kundër korrupsionit është rritur dhe se shumë politika të reja janë formuluar dhe janë kthyer ne ligje, por se zbatimi i tyre saktësoi ajo, është pjesa më e vështirë e procesit dhe ka nevojë të bëhet shumë punë:

"Ajo nuk mund të jetë e suksesshme, nëse mungon një konsensus dhe bashkëpunim i vërtetë nga ana e të gjitha forcave politike dhe më tepër transparencë ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë. Nga përparimi i vërtetë në luftën kundër korrupsionit varen shumë gjëra"- shpjegoi ambasadorja Ris, duke përmendur këtu anëtarësimin në NATO, hyrjen në BE apo në përgjithësi, një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë.

"Duke patur parasysh sa gjëra të rëndësishme janë në lojë - saktësoi ambasadorja amerikane - çdo mjet i disponueshëm duhet të përdoret për të luftuar korrupsionin".//lk

XS
SM
MD
LG