Lidhje

FMN: Ecuria ekonomike në Maqedoni është përmirësuar


Në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Maqedoninë thuhet se ecuria ekonomike e vendit ka filluar të përmirësohet, rritja ekonomike është 4 përqind dhe inflacioni është mbajtur nën kontroll. Megjithatë në raport i bëhet thirrje Maqedonisë që të ndërmarrë më tepër reforma strukturore dhe të përmirësojë klimën e biznesit.

Në raportin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili vizitoi kohët e fundit Maqedoninë, thuhet se ecuria ekonomike e vendit ka filluar të përmirësohet pas më shumë se një dekade me rritje ekonomike të ngadaltë. Por këto vitet e fundit, rritja ka arritur nivelin 4 përqind dhe më shumë, inflacioni është mbajtur nën kontroll, deficiti buxhetor është ulur dhe janë filluar reforma strukturore.

Për të rritur nivelet e jetesës drejt niveleve evropiane, është e nevojshme që autoritetet maqedonase ta përqendrojnë vemendjen te ruajtja dhe çuarja më tej e këtyre arritjeve. Si kusht i parë, kjo do të kërkojë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit që është arritur me shumë përpjekje. Për të përshpejtuar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, thuhet në raport, kërkohen më tepër reforma strukturore ambicioze duke përmirësuar njëkohësisht klimën e biznesit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandon Maqedonisë të krijojë një mjedis tërheqës për të gjithë investitorët, të vendit dhe të huaj, të mëdhenj apo të vegjël. Për fat të keq, në këtë pikpamje, thuhet në raport, treguesit e Bankës Botërore e venë Maqedoninë në një nivel më të ulët se sa fqinjët e saj.

Raporti rekomandon gjithashtu që për të ulur koston e biznesit në vend, qeveria të vazhdojë reformën në drejtësi, të rrisë transparencën në veprimtarinë e saj dhe të liberalizojë sektorin e telekomit.

Qeveria, thotë Fondi Monetar, është e nevojshme gjithashtu që të hartojë plane për uljen e papunësisë, e cila e kalon shifrën 25 përqind.

XS
SM
MD
LG