Lidhje

Dule: Nuk është momenti për ndryshime në qeveri

  • Intervistoi: Konda

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet për një vizitë një grup politikanësh nga Shqipëria, mes tyre edhe të Partisë për të Drejtat e Njeriut, i kryesuar nga kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, të cilit i morëm një intervistë në programin televiziv “Ditari”:

Zëri i Amerikës: Zoti Dule, fillimisht cili është synimi i kësaj vizite?

Vangjel Dule: Është një udhëtim disa-ditor, i organizuar nga Departamenti i Shtetit, dhe qëllimi është takimi me struktura të shtetit amerikan, por edhe të organizmave ndërkombëtare. Kemi pasur mundësinë gjatë këtyre ditëve që të takohemi me përfaqësues të Bankës Botërore, të Departamentit të Shtetit, dhe do vazhdojmë sot dhe në ditët në vazhdim edhe me përfaqësues të Senatit dhe të Kongresit.

Zëri i Amerikës: Le të kthehemi tek zhvillimet në Shqipëri, Partia juaj është pjesë e koalicionit qeverisës. Ditët e fundit brenda së djathtës ka pasur disa lëvizje politike. Disa deputetë të Partisë Demokratike të Reformuar, u bashkuan me Demokristianët. A mendoni se kjo mund t’i krijojë probleme koalicionit?

Vangjel Dule: Natyrisht, që është një lëvizje e zakonshme në kuadrin e demokracisë dhe të funksionimit të një Parlamenti. Natyrisht, që mund të shikohet nga dy aspekte. Mund të shikohet nga aspekti se mund të krijohet një problem, i cili do të sjellë rishikim të marrëdhënieve midis vetë forcave brenda koalicionit qeverisës në vendin tonë, por në të njëjtën kohë, mund të shikohet edhe pozitivisht. Një zhvillim i tillë mund të shërbejë si shkas për një bashkëpunim më të ngushtë, për një sintezë më adekuate, të alternativave politike që ofrohen, me qëllim që të garantohet një qeverisje sa më efikase dhe sa më rezultative në shumë aspekte. Në politikë gjithësekush është i pranuar në momentin që ka për të kontribuar dhe është i gatshëm ta japë këtë kontribut. Dhe unë uroj që si çdo lëvizje tjetër, edhe kjo të jetë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: A pritet që të ketë ndryshime në qeveri në këtë aspekt?

Vangjel Dule: Nuk besoj dhe vlerësoj se nuk është momenti i përshtatshëm për zhvillime të tilla, për vetë faktin se nuk mund të gjykosh për një ministër kur nuk i ke dhënë shansin minimal të administrimit të një viti buxhetor. Nga ana tjetër, jemi në një moment tepër delikat. Javën e ardhshme po nëshkruajmë marrëveshjen e asocim-stabilizimit me BE-në; po intensifikohen përpjekjet e gjithanshme, me qëllim që të realizojmë marrjen e ftesës nga NATO për në Samitin e 2008-ës. Kemi zhvillime pozitive edhe në aspektin e luftës ndja krimit të organizuar dhe ndaj trafiqeve. Rrjedhimisht, shpresoj se vetëm pas mbarimit të vitit në vazhdim do të jetë një mundësi vlerësimi i aktivitetit qeveritar dhe ndoshta e ndërhyrjeve, të cilat do ta bënin më efikase.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit në Shqipëri ka dalë çështja e zhvarrimit të eshtrave në një fshat të Përmetit. Si do ta komentonit ju mbarë këtë proces?

Vangjel Dule: Ka disa aspekte. Së pari, po ndjek me kënaqësi prej edicionit tuaj se po përfundon cikli i hetimit nga ana e organit të akuzës. Në shtetin e së drejtës, çështje të tilla, si çdo çështje e kësaj natyre, i përket për ta zgjidhur dhe do ta zgjidhë, Prokuroria. Besoj se pas një zhurme shumë të madhe, të pajustifikueshme, kryesisht në media, problemi, në se ka probleme, hyri në rrugën e vet, të zgjidhjes institucionale. Së dyti, dëshiroj të theksoj se pavarësisht zhurmës, e cila në situata të tjera do të krijonte tornditje në marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, u kapërcye me një maturi të mrekullueshme, gjë që tregon se marrëdhinet midis të dy vendeve janë të stabilizuara, janë të qëndrueshme, janë të mbështetura mbi objektiva të përbashkëta, që janë ato të perspektivës së përbashkët Euro-Atlantike. Dhe kjo përbën në vetvete një kompliment për të dy qeveritë dhe gjithashtu tregon se marrëdhëniet nuk mund të cënohen më, siç ka ndodhur në të shkuarën nga grupe të ndryshme, apo nga individë që e dëshirojnë një zhvillim të tillë. Dua të them, që nga ana tjetër, në qoftë se keni vërejtur mediat shqiptare, do të vini re edhe fenomene tepër negative, siç kanë qenë ndërhyrjet e elementëve të ndryshëm, qoftë politikanë, në nivele individuale, qoftë edhe gazetatë, të cilët kanë ndërmarrë një sulm mjaft të pahijshëm ndaj Kishës Orthodokse dhe ndaj vetë kreut të saj, në një kohë që nuk u takon asnjë e drejtë morale, qytetare, politike dhe shoqërore, që të ndërhyjnë në punët e brendshme të një komuniteti fetar, kur nuk i përkasin atij komuniteti.

Zëri i Amerikës: Por përse është ndërmarrë me kaq fshehtësi ky proces, pa patur autoritetin e qeverisë shqiptare dhe pa dijeninë e qeverisë greke nga ana tjetër?

Vangjel Dule: Besoj se ishte një proces, me aq sa jam në dijeni, i cili nuk mund dhe nuk ekzistonte mundësia që të futet në konturet e një bashkëpunimi dy-palësh, sepse në shumicën e rasteve të njohura, kanë qenë vetë familjarët që janë interesuar nga ana e Greqisë për të gjetur të rënët e tyre në luftën italo-greke. Dhe nga ana tjetër, kanë qenë edhe vetë qytetarë shqiptarë, të cilët kanë patur në pronat e tyre, në tokat e tyre, qoftë edhe në oborret e tyre ushtarë të varrosur dhe kanë kërkuar të vijnë në kontakt me familjet e tyre në Greqi, me qëllim që t’ua dorëzojnë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kjo me sa është shkruar në shtyp, është bërë pa marrë lejen e autoriteteve përkatëse....

Vangjel Dule: Natyrisht, mbetet kjo për t’u sqaruar. Ajo që është më e rëndësishme dhe që duhet të përmendet, është fakti që qeveria është në dialog me qeverinë greke dhe shpresojmë se së shpejti do të ketë një marrëveshje zyrtare edhe për ngritjen e memorialeve në nderim të të rënëve grekë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë shënuar edhe fitoren e parë ndaj boshtit të atëhershëm nazi-fashist; idealet për të cilat ata kanë rënë nuk kanë qenë ekskluzivisht ideale të kombit grek që përfaqësonin, por janë idealet e të gjithë njerëzimit dhe e meritojnë që t’i nderojmë të gjithë.

Zëri i Amerikës: Këto memoriale janë ngritur në Greqi, për të nderuar luftëtarët grekë të Luftës së Dytë Botërore...?

Vangjel Dule: Flasim për memorialet që do të ngrihen në hapësirat ku kanë rënë gjatë luftës italo-greke dhe bëhet fjalë në Shqipëri, siç është në Këlcyrë, në Vularat, apo nuk e di ku gjetkë, kur do të arrihet marrëveshja midis institucioneve përkatëse.

Zëri i Amerikës: Ju jeni Kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut. Çfarë nismash ka ngritur partia juaj në Parlament për mbrojtjen e të drejtave të njeriut?

Vangjel Dule: Jemi një parti me një sensibilitet të veçantë për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. E në këtë aspekt, jemi mjaft të vëmendshëm që në legjislacionin tonë të mishërohen të gjitha standartet më të avancuara në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, të qytetarëve, në veçanti të të drejtave të minoriteteve, ashtu siç sanksionohen ato në konventat ndërkombëtare dhe kryesisht ato të Këshillit të Evropës. Por në të njëjtën kohë, një parti nuk mund të kufizohet në këtë aspekt, i cili përbën veçori të vetën. Jemi një parti që japim përditë betejën tonë politike, që vendi ynë të jetë me ritme sa më shpejta në rrugën dhe në procesin e vet integrues. Prioriteti ynë, siç është vendosur në kongresin e fundit, është dhe mbetet transformimi i përditshëm i realiteteve shqiptare dhe afrimi i përditshëm me ato euroatlantike.

XS
SM
MD
LG